Ekonomi Euro arrin nivelin më të lartë në tetë muaj; Dollari zbret poshtë...

Euro arrin nivelin më të lartë në tetë muaj; Dollari zbret poshtë 110 lekëve

Monedha vendase është dobësuar sot përkundrejt euros, e cila ka shënuar nivelin më të lartë të këmbimit që prej fillimit të qershorit.

Euro këmbehej sot me 133.92 lekë, duke e nisur javën me 0.41 lekë më shumë se të premten që lamë pas.

Në vitin e fundit, euro ka pasur një periudhë të dobët në tregun vendas duke prekur nivelin më të ulët në nëntë vitet e fundit, pavarësisht se monedha e përbashkët ishte e fortë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit valutor, euro është monedha bazë ku reflektohet ecuria e tregut valutor vendas. Ndërsa raporti i këmbimit me monedhat e tjera kryesore të shportës, sipas ekspertëve, reflekton situatën në tregjet ndërkombëtare.

Dollari ka vijuar të nënçmohet fort në vend, ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë është këmbyer sot me 109.2 lekë, 1 pikë më pak se e ditën e premte. Monedha e gjelbër u këmbye më poshtë se mesatarja e këmbimit të tetorit 2014, duke shënuar përsëri një rekord të ulët këmbimi.

Euro pritet që të forcohet gjatë muajit të parë të vitit, pas dobësimit që erdhi kryesisht prej efekteve sezonale gjatë dhjetorit.

Monedha e përbashkët europiane ka arritur në nivelin më të lartë të tre viteve në Europë përkundrejt Dollarit. Euro shënoi nivelin më të lartë të tri viteve pas formimit të koalicionit qeverisës në Gjermani. Ngjarjet politike si formimi i kabinetit qeveritar në Gjermani dhe referendumi për shkëputjen e krahinës së Katalonjas kishin dobësuar disi raportet e këmbimit të euro me dollarin.

Sot raporti i këmbimit EUR/USD në tregjet ndërkombëtare ishte 1.22, ndërkohë që në të njëjtën periudhë një vit më parë euro këmbehej me 1.04 USD. Brenda një viti, monedha e përbashkët europiane është forcuar me gati 17 për qind.