Kursi i këmbimit të euros me lekun ka shënuar një rritje të ndjeshme ditën e premte.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 100.19 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që prej datës 5 gusht.
Pas një rënieje graduale që pati nisur prej asaj date, euro zbriti deri në minimumin historik prej 99.6 lekësh më datë 20 gusht.
Në tre ditët e fundit, kursi iu kthye rritjes, ndërsa sot e kaloi përsëri kufirin e 100 lekëve duke arritur afër niveleve ku ka qëndruar me një lloj qëndrueshmërie gjatë gjithë sezonit veror.
Megjithatë, kjo qëndrueshmëri ka qenë rezultat i pranisë së vazhdueshme në treg të Bankës së Shqipërisë.
Prej muajit maj, banka qendrore ndërhyri me blerje direkte në tregun valutor për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit. Sipas Bankës së Shqipërisë, një forcim i mëtejshëm i lekut do të ishte në dëm të objektivit të inflacionit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të bankës qendrore. Sipas INSTAT, në muajin korrik inflacioni vjetor ishte në nivelin 2.1%.
Megjithatë, në javët e fundit Banka e Shqipërisë duket se është tërhequr nga kontrolli i kursit dhe nuk ndërhyri as pasi euro ra për herë të parë poshtë kufirit simbolik të 100 lekëve.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, as rritja e ditës së premte nuk lidhet me ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, por me një rritje të përkohshme të kërkesës së tregut për valutë. Rritje të shpejta dhe afatshkurtra të kursit të euros kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit, veçanërisht në periudhat pas rënieve drastike të tij.
Një kurs i ulët i euros krijon nxitje për të shfrytëzuar momentin dhe për të blerë, nga subjektet që mund të kenë nevojë për valutë në aktivitetin e tyre. Edhe rritja e ditës së premte duket të ketë tipare të tilla.
Rritja e kursit të euros është reflektuar edhe në kursin e valutave të tjera kryesore ndaj lekut. Edhe dollari amerikan u kthye sot sipër nivelit të 90 lekëve.
Në fakt, në dinamikën historike të kursit një zhvendosje në rritje e kursit pas kalimit të pikut të sezonit veror është pak a shumë e pritshme, për shkak të rënies së ofertës valutore të lidhur me turizmin.
Megjithatë, në vitet e fundit, ecuria e kursit është bërë më pak e parashikueshme, për disa arsye.
Turizmi hyrës tashmë është më i shpërndarë në kohë dhe amplitudat e ofertës së valutës mes muajve të verës dhe muajve të tjerë të vitit duket se janë ngushtuar. Nga ana tjetër, luhatshmëria ka ndikuar edhe sjelljen e aktorëve të tregut.
Në periudha kur kursi është veçanërisht i ulët, shpesh herë vërehet kërkesë e shtuar për të blerë valutë në avancë, duke shfrytëzuar momentin. Në disa raste kjo krijon edhe lëvizje të kursit jashtë tendencave historike apo sezonale.
Një faktor tjetër që përbën risi këtë vit është ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, që ka prodhuar një kurs këmbimi pothuajse të fiksuar në periudhën mes muajve maj dhe korrik. Për këtë arsye, parashikimi i atij që mund të jetë kursi i lirë, produkt i faktorëve të tregut, në muajt e ardhshëm është më i vështirë.
Të dhënat e deritanishme dëshmojnë një ofertë të lartë të euros në tregun valutor. Sipas Bankës së Shqipërisë, volumet e tregtimit valutor u rritën me 30% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo normë rritjeje ishte gati tre herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor