Euro ka rikuperuar disa pikë kundrejt monedhës shqiptare duke u këmbyer sot me 104.87 lekë. Nga një ditë më parë, ajo është rritur me pothuajse 3 pikë.
Të njëjtën tendencë ka ndjekur dhe monedha amerikane, e cila këmbehet me 94.33 lekë duke u forcuar me 1.9 pikë. Edhe valutat e tjera kanë fituar terren kundrejt lekut.
Java nisi optimiste për kursin e këmbimit, por rritja e euros nuk ishte domethënëse.
Java e shkuar e la euron në kufirin e 100 lekëve dhe pritshmëritë ishin që e hëna ta çonte atë në 99 lekë, por kjo nuk ndodhi.
Sipas të dhënave nga tregu, rritja ka ndodhur sepse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë euro dhe njësoj edhe bankat tregtare.
Agjentët e tregut shprehen se të gjitha bankat tregtare kanë dalë në blerje të valutës, duke shtuar kërkesën dhe duke e rritur kursin me ritme të larta. Ekspertët besojnë se kjo situatë është tipike e kërkesave në vlera të mëdha nga klientë korporativë. Bankat po blejnë valutë për të përmbushur këtë kërkesë ose për të mbyllur pozicionet nga shitjet në vlera të mëdha të realizuara.
Sipas informacioneve nga tregu, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka blerë rreth 30 milionë euro, në funksion të nevojave për importin e energjisë.
Vitin e kaluar importet e energjisë nga KESH luajtën një rol të konsiderueshëm në kursin e këmbimit dhe sollën rritje të përkohshme të kursit, siç ndodhi në muajin mars 2022. Megjithatë, pas nëntorit 2022, rritja e prodhimit të brendshëm të energjisë ulu nevojën për importe dhe ndikoi në uljen e kërkesës për euro dhe në rënien e kursit të monedhës europiane në muajt e fundit të vitit. Me sa duket, rifillimi i importeve të energjisë mund të jetë një faktor që do të ndikojë përsëri kursin e këmbimit valutor.
Ndonëse sezoni veror ndikon gjithmonë në zhvlerësimin e monedhave të huaja për shkak të flukseve turistike, ky zhvlerësim pati nisur që në fillim të vitit, aspak e zakontë.
Banka e Shqipërisë nuk parashikon stabilizim të kursit deri në përfundim të sezonit veror, ndonëse thekson se flukset janë të paparashikueshme.
Pak ditë më parë, eksportuesit e akuzuan BSH-në për mosreagim dhe mungesë transparencë në këtë situatë që sipas tyre është një “katastrofë ekonomike”.