Prej kohësh në tregun e këmbimit valutor vijon zhvlerësimi i monedhave të huaja në raport me lekun vendas. Parashikimet për verën janë që 1 euro mund të këmbehet me 98 lekë, ndërsa kjo do të sillje pasoja në të gjithë zinxhirin e ekonomisë.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, tha se skenari që euro të zbresë poshtë këmbimit me 100 lekë, do të ishte një skenar i zi për Shqipërinë.
Nga studio e MCN TV, Soko deklaroi se rënia e euros ka goditur rëndë eksportin, dhe rrezikon që të fusë në kolaps të gjithë ekonominë.
“Prurjet që do vijnë nga monedha do e çojnë poshtë 100 lekë, do të shkojë 99, 98 dhe kjo do sjellë pasojë shumë të madhe për bizneset eksportuese. Tregu i eksporteve është zëvendësuar nga trafiku i drogës. Duket se guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk ka vullnetin për të ndërhyrë, përtej asaj që e ngarkon ligji, çështja është kush mund të ndihmojë dhe si mund të ndihmojë.
Njerëzit mundohen të shfrytëzojnë çdo resurs të vetin për tu përshtatur me një realitet të ri dhe kur nuk ia dalin kërkojnë ndihmë, kështu janë dhe bizneset po kërkojnë ndihmë. E shohin që nuk iu kap këmba në tokë dhe mund të mbyten. Fasonët kanë nevojë për grante”, tha Pano Soko.