Kursi i këmbimit të euros me lekun e ka nisur edhe këtë javë në rënie, duke arritur tashmë afër pragut të 99 lekëve. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 99.08 lekë, duke arritur një nivel të ri minimal historik.
Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa, ky është një rend i ri, dhe do të vijojë për një periudhë afatmesme.
“Kemi gati 3 vite që kursi i këmbimit të monedhës kombëtare ka krijuar një histori të ekuilibrit. Leku do jetë një monedhë e fortë dhe mbase do vazhdojë të mbetet të paktën në periudhën afatmesme”, tha Selami Xhepa në një intervistë televizive.
Nga dobësimi i Euros, përfituesi më i madh sipas ekspertit Xhepa është qeveria, pasi ka ulur borxhin publik, ndërsa problem ka sjellë në disa sektorë.
“I gjithë sektori i eksporteve dhe mallrave apo i shërbimeve është goditur seriozisht. Nga ana ime, ajo që nuk është akoma e dukshme, por do të lexohet në të ardhmen është se industritë kombëtare që konkurrojnë importet kanë pasur presione negative. Kjo do të thotë se edhe ekzistenca e këtyre bizneseve mund të vihet në dyshim”, tha Xhepa.
Rënia e ndjeshme e Euros ka prekur edhe kursimet e shqiptarëve.
“Më shumë se gjysma e depozitave në sistemin bankar janë në euro, çka do të thotë se kursimtarët janë goditur fort negativisht”, theksoi eksperti Xhepa.
Në tregun e lirë valutor, Euro blihet me 98.8 lekë dhe shitet me 99.5 lekë.
Euro ka qëndruar gjatë gjithë muajit shtator poshtë nivelit të 100 lekëve, me një tendencë të qëndrueshme në rënie. Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për herë të fundit në kursin e këmbimit valutor në fillim të muajit gusht. Qysh prej atëherë, kursi ndodhet vetëm nën efektin e forcave të tregut.
Pasi arriti ta mbante kursin sipër kufirit të 100 lekëve mes muajve maj dhe korrik, në muajin gusht Banka e Shqipërisë vendosi të tërhiqej nga ndërhyrja, për të testuar lëvizjet e kursit në vlerat e veta normale të tregut. Pavarësisht se kursi ka rënë poshtë nivelit të 100 lekëve, ashtu siç edhe pritej, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se luhatshmëria e kursit (në këtë rast rënia) nuk ka qenë shumë e fortë dhe shqetësuese. Për këtë arsye, Banka Qendrore ka vendosur se një ndërhyrje në kursin e këmbimit, për momentin, nuk është më e nevojshme.
Valutat e tjera kryesore shënuan një rritje të lehtë ditën e hënë, por duke qëndruar sidoqoftë pranë niveleve të ulëta shumëvjeçare.