Ekonomi Euro u zhvlerësua qëllimisht, Vakaj: Luan rol Banka e Shqipërisë dhe qeveria,...

Euro u zhvlerësua qëllimisht, Vakaj: Luan rol Banka e Shqipërisë dhe qeveria, po dalin të fituara

Rënia e euro drejt nivelit të 100 lekëve duke u zhvlerësuar kështu me rreth 11 lekë krahasuar me një vit më parë, është konsideruar e qëllimshme nga kreu i Shoqatës të Zyrave të Këmbimit Valutor në Shqipëri.

Dritan Vatnikaj tha se është vet qeveria dhe Banka e Shqipërisë të cilat po dalin të fituarat nga kjo situatë, duke zhytur nga ana tjetër në vështirësi një sërë sektorësh.

“Zyrat e këmbimit valutor kanë karakteristik përveç këmbimit valutor cash edhe transfertave me operator të ndryshëm. Sasia e parasë së këmbyer cash më pak se 5%. Biem dakord që Banka e Shqipërisë dhe qeveria janë përfituesit. Një euro e ulët çon ujë në mullirin  e Bankës së Shqipërisë e ndihmon në inflacion, nga ana tjetër kemi qeveri që do të ulë borxhin e jashtëm që e ka në euro. Kjo e ka ndihmuar çdo vit ta ulë. Të dyja kanë qenë në sinkron zyrtarisht se kemi politik të deklaruar si triumf i shfrytëzimit të avantazhit. S’themi që është e paqëllimtë nëse mbledh 33 miliardë lekë në 3 muaj dhe nuk i shpenzon dhe nuk realizon planin e qëllimeve në investime.”

Por për ekspertët e ekonomisë ky fenomen vjen më së shumti nga paratë e gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Në emisionin A2 Business ata thanë se qeveria prej vitesh ka mbyllur sytë  në këtë drejtim.

“Asgjë që duhet parë si e jashtëzakonshme. Ky nivel i euros reflekton pompimin e parave kriminale në ekonomi, ka një tolerancë të pashpjegueshme të aktiviteteve kriminale që shprehet në euro, niveli i informalitetit vijon i lartë, ka edhe një zbehje të fuqisë zbuluese të institucioneve ligjore”, tha eksperi Zef Preçi.

Problemi nuk është më te deklarimi. Është halli i parasë së zezë se është e zezë. Transaksionimi në para cash është shumë herë më i madh. Ndodh tek pikat e padeklaruara”, u shpreh Pano Soko.

Për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor në 2023 Banka e Shqipërisë ndërhyri dy herë nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, të cilat në total arritën në 249 milionë euro. Ndërsa për 2024 ky parashikim arrin në 250-330 milionë euro./A2CNN