Pas një stabilizimi ditën e djeshme, monedha e përbashkët i është rikthyer sërish rënies sot. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 123.39 lekë, duke rënë me 0.27 lekë dhe duke arritur në nivelin më të ulët të këtij viti.
Ekspertët e kursit të këmbimit thanë për Monitor se janë disa faktorë që po ndikojnë në zhvlerësimin e euros këto ditë. Së pari tregu po ndikohet prej efektit psikologjik te individët. Së dyti pezullimi i transfertave nga banka ka krijuar amulli, duke rritur ofertën e valutës në vend. Kompania ajrore Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. Që nga 9 prilli, kur ndodhi vjedhja, euro ka humbur 1.5 lekë (shih grafikun).
Por, ekspertët nuk mohojnë as efektet sezonale.
Gjatë pashkëve monedha euro ka tendencën të nënçmohet përkundrejt lekut.
Pritshmëritë e individëve, që edhe e marta e javës që do të vijë do të jetë pushim, ka ndikuar te kursi i këmbimit.
Dollari amerikan është forcuar gjatë ditës së sotme. Një dollar u këmbyer me 110.7, rreth 0.43 pikë më shumë se një ditë më parë. Sipas ekspertëve kjo ka reflektuar forcimin e tij në tregjet ndërkombëtare.
Ndërsa burime nga bankat thanë se problem vijon të mbetet transporti i parave jashtë. Ndonëse ditën e djeshme u krye një transport test nga Austrian Airlines, problem mbetet sigurimi i transportit. Raiffeisen International që është korrepondentja me të cilën punojnë bankat në Shqipëri, mësohet se u ka çuar bankave së fundmi një amendim kontrate, ku i njofton se do të rishikojë kushtet e sigurimit të transportit të parave në udhëtim dhe se ajo nuk merr më përsipër sigurimin në aeroport dhe fluturim, por vetëm në Vjenë. Mësohet se kompanitë e sigurimit në vend nuk marrin përsipër sigurimin pa u garantuar siguria.
Kjo situatë ka krijuar një amulli në treg, që mund të rrezikojë deri në pezullim kambizmi me kambistët, çka prek kursin direkt.
Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania” shpjegoi dje në një takim me mediat se kostot operacionale dhe primet e rrezikut për biznesin bankar do të rriten pas ngjarjes së datës 9 prill në Aeroportin e Rinasit, ku u grabitën rreth 6 milionë euro cash që po transportoheshin nga bankat jashtë vendit.
Ekonomia shqiptare vuan nga euroizimi i lartë edhe për shkak të prirjes që shqiptarët kanë për përdorimin e valutës së huaj.
Ai tha se, aktualisht të gjitha palët që janë përfshirë në procesin e transferimit të cash-it jashtë vendit janë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje solide. Procesi ka shumë palë, ku përfshihen kompanitë ajrore, ato të sigurisë, bankat korresponduese dhe kompanitë e sigurimit. Të gjitha palët po punojnë për të gjetur një zgjidhje që të eliminojë rrezikun operacional të transportit të cash – tha Pedrazzi./Monitor