Gati 140 vjet pasi Statuja e Lirisë iu dhurua Amerikës nga Franca, eurodeputeti francez, Raphaël Glucksmann ka bërë një kërkesë të pazakontë ndaj Shteteve të Bashkuara duke sugjeruar që Franca të marrë mbrapsht Statujën e Lirisë, me argumentin se Amerika nuk përfaqëson më vlerat për të cilat kjo dhuratë u ofrua nga populli francez në vitin 1886.
Glucksmann, i njohur për mbështetje të fuqishme ndaj Ukrainës, ka kritikuar ashpër politikat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe veprimet e tij që ai i konsideron si një tradhti të vlerave demokratike.
“Ne do t’u themi amerikanëve që zgjodhën të qëndrojnë në anën e tiranëve, amerikanëve që pushuan studiuesit për kërkimin e lirisë shkencore: “Na ktheni Statujën e Lirisë”, tha Glucksmann, duke shtuar: “Ne jua dhamë si dhuratë, por me sa duket ju e përbuzni atë. Kështu që do të jetë mirë këtu në shtëpi”.
Një ditë pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë.
Përmes zëdhënëses Karoline Leavitt, Shtetet e Bashkuara i kujtojnë Francës se falë tyre, francezët nuk flasin gjermanisht.
Në përgjigje të komenteve të tij, Leavitt iu referua ndërhyrjes së SHBA në Europë në Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore, kur trupat amerikane çliruan Francën nga pushtimi gjerman.
“Është vetëm falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që francezët nuk flasin gjermanisht sot, kështu që ata duhet të jenë shumë mirënjohës për vendin tonë të madh”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, duke e quajtur Raphaël Glucksmann një “politikan francez të vogël dhe të panjohur”.
Statuja e Lirisë, e projektuar nga francezi Auguste Bartholdi dhe e dhuruar nga Franca në vitin 1886 në 100-vjetorin e Pavarësisë amerikane, ka qenë një simbol i miqësisë dhe vlerave të përbashkëta mes dy kombesh.
Ajo shihet si një simbol i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë dhe iu dorëzua zyrtarisht ministrit amerikan në Paris më 4 korrik 1880. Zbulimi zyrtar i tij u bë në portin e qytetit të Nju Jorkut më 28 tetor 1886, për të shënuar njëqindvjetorin e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë.