Për eurokomisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, Reforma Zgjedhore e rënë dakord më 5 Qershor mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare duhet që të kalojë sa më parë në parlament.
Eurokomisioneri bën thirrje që të respektohen rekomandimet e OSBE, ku shton se ndryshimet e tjera në reformë duhet të vendosen një vit përpara zgjedhjeve dhe për ta bërë duhet të kalojnë një proces konsultimesh.
“Reforma Zgjedhore në Shqipëri: E rëndësishme që reforma e dakordësuar më 5 Qershor të kalojë në parlament sa më shpejt të jetë e mundur për të lejuar implementimin e ndryshimeve përpara zgjedhjeve të përgjithshme vitin tjetër. Bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, aty adresohet kushti kyç për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Reforma të tjera në lidhje me sistemin elektoral jashtë rekomandimeve duhet të miratohen të paktën një vit përpara zgjedhjeve dhe kërkojnë konsultime, siç rekomandohet nga OSBE-ja”, shkruan Varhelyi.
Ndërkohë, Partia Socialiste është dakord në parim me opozitën parlamentare që të bëjë disa ndryshime kushtetuese sa i përket hapjes së listave dhe pragut për koalicione.
Kryeministri Edi Rama tha këtë të premte se edhe pse janë dakord me opozitën parlamentare, marrëveshja e arritur më 5 Qershor me atë jashtëparlamentaren nuk do të preket.