Disa nga vendet europiane kanë nisur të detajojnë planet për rifillimin e jetës pas izolimit për shkak të koronavirusit.
Austria u bë sot vendi i parë që prezantoi një plan të detajuar për t’i dhënë fund izolimit.
Austria synon të lehtësojë në mënyrë progresive shtrëngimet në fuqi për të luftuar kundër koronavirusit të ri duke nisur nga 14 prilli.
“Këto lehtësime do të nisin me hapjen e tregjeve të vogla dhe sipas një programi që do të zgjasë disa muaj”, njoftoi sot qeveria.
“Qëllimi ynë është të vihemi në lëvizje sipas disa etapave”, deklaroi kancelari Sebastian Kurz në një konference shtypi duke i kërkuar popullit të ruajë disiplinën.
Pas këtyre tregjeve të vogla më 14 prill, të gjitha dyqanet e tjera do të rihapen në fillim të muajin maj, më pas restorantet në mes të majit, ndërsa grumbullimet publike do të vazhdojnë të jenë të ndaluara deri të paktën në muajin korrik.
“Ne kemi reaguar shumë më shpejt dhe me masa më drastike se vendet e tjera dhe kemi penguar përkeqësimin e situatës”, theksoi kancelari, qeveria e të cilit vendosi një kufizim të popullsisë më 15 mars, në të njëjtën kohë dhe mbylljen e tregjeve.
Edhe Danimarka planifikon po ashtu që të heqë kufizimet pas Pashkëve, por kërkon nga njerëzit që të shmangin turmat në trena dhe autobusë.
Gjermania, listë masash pas heqjes së karantinës në 19 prill
Gjermania përgatiti një listë të masave, përfshirë edhe mbajtjen e maskave, kufizimin e grumbullimit të njerëzve në vende publike dhe monitorimin e shpejtë të kontrollit të përhapjes së infeksionit.
Sipas autoriteteve, kjo do të lejojë që jeta të kthehet përsëri në normale kur të hiqen masat e karantinës më 19 prill. Masat janë përcaktuar në një plan veprimi të përgatitur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas saj, ato do të jenë të mjaftueshme për të garantuar një nivel të ulët të përhapjes së koronavirusit kur gradualisht të rivendoset jeta publike.
Për ta bërë këtë, duhet të vendosen mekanizma për të monitoruar më shumë se 80% të njerëzve të cilët kanë qenë në kontakt me një person të infektuar brenda 24 orëve nga diagnostikimi.
Shkollat do të jenë në gjendje të rihapen kur për këtë do të vendosin provincat, ndërsa kontrollet kufitare do të lehtësohen.
Megjithatë zyrtarët thonë se jeta nuk do kthehet në normalitet menjëherë dhe masat do mbeten edhe për disa javë të paktën.