Finlanda dhe Irlanda kanë njoftuar ditën e sotme se do mbyllin hapësirën e tyre për avionët rusë.
Finlanda ndan 1300 kilometra kufi me Rusinë, që do të thotë se një rrugë kryesore për në perëndim e Moskës, do të mbyllet.
Më herët, të tjera vende si Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Polonia, etj kanë marrë vendim të njëjtë.
Nga ana tjetër, edhe Rusia ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për kompanitë e lidhura ose të regjistruara në disa vende të BE-së.
Fluturimet komerciale dhe tranzite nga linjat ajrore në Letoni, Lituani, Estoni dhe Slloveni tani janë të ndaluara të hyjnë në hapësirën ajrore ruse.
Masa vjen si hakmarrje për masat e ngjashme të marra nga këto vende në fillim të kësaj jave, në një lëvizje për të sanksionuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Të shtunën Rusia mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët e lidhur me Bullgarinë, Poloninë dhe Republikën Çeke, sërish pas një vendimi të ngjashëm të marrë nga këto vende kundër kompanive ruse.
Në fillim të kësaj jave, autoriteti rus i aviacionit civil, Rosaviatsia, ndaloi gjithashtu fluturimet në Mbretërinë e Bashkuar drejt dhe mbi Rusi në shenjë hakmarrjeje për ndalimin britanik të Aeroflot.