Europa bëhet gati për rrezikun potencial bërthamor. Bashkimi Evropian ka përshpejtuar planet për të “përmirësuar përgjigjen e vendeve ndaj një incidenti të mundshëm bërthamor”, duke inkurajuar vendet anëtare që të rrisin rezervat e pilulave të jodit, kostumeve mbrojtëse dhe ilaçeve të tjera. Ndërkohë, paralelisht po punohet për plane që adresojnë pasojat e mundshme të sulmeve kimike dhe biologjike. Lajmin e bën të ditur “Financial Times”, të cilës i referohet Corriere della Sera.
Rekomandimet e Komisionit Europian vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin la të kuptohet mundësinë e përdorimit të arsenalit të tij bërthamor në rast se Rusia ndihej e kërcënuar dhe pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Perëndimin për mundësinë e përdorimit nga trupat ruse të armëve kimike ose biologjike në Ukrainë.
Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian të cituar nga Financial Times, planet e ekzekutivit evropian i paraprijnë pushtimit të Ukrainës: por vetë zëdhënësi konfirmoi se qëllimi është rritja e gatishmërisë në fushën e kërcënimeve kimike, biologjike dhe radiologjike dhe bërthamore.
Frika e një skenari të tillë ka filluar të reflektohet në Europë. Ditët e fundit, disa farmaci në shumë vende evropiane – duke përfshirë Belgjikën, Bullgarinë dhe Republikën Çeke – kanë parë kërkesë në rritje për pilula jodi.
Tabletat e jodur kaliumit mund të jenë të dobishme vetëm për të mbrojtur tiroiden nga zhvillimi i tumorit në të ardhmen. Ato rekomandohen vetëm në rast shpërthimesh në centrale shumë afër (në një zonë prej 50 ose 100 kilometrash).
Si terapi, ato këshillohen vetëm për njerëzit që gjenden fizikisht afër zonës së shpërthimit, duke pasur parasysh se (si të gjitha barnat) këto pilula mund të kenë edhe efekte anësore: mosfunksionim të gjëndrës tiroide (si hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi i shkaktuar nga jodi), efekte gastrointestinale (të përziera, të vjella , diarre, gastralgji), reaksione alergjike (angioedema e lëkurës, artralgji, limfadenopati, urtikarie)”.