Gjermania po debaton për fitoren e partisë së djathtë AfD në nivel lokal në landin e Tyringjisë, por në të gjithë Evropën po fitojnë parti populiste të djathta ose ekstremisht të djathta.
Dukej sikur Spanja ishte bastioni i fundit në Europë i të majtëve, por edhe ai ra para një muaji. Në zgjedhjet komunale dhe rajonale në Spanjë qeveria e majtë e Pedro Sanchez u ndëshkua me votë, si pasojë kryeministri spanjoll kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Buzëqeshja e fituesve ka kaluar tani tek partia konservatore popullore, PP me imazhin e ri që jep Isabel Diaz Ayso nga Madridi që tallet me feminizmin, barazinë, mbrojtjen e pakicave, të drejtat e personave trans dhe mbrojtjen e klimës.
Por rritje po shënon edhe partia ekstremiste e djathtë Vox, që në shumë komuna dhe rajone autonome në të ardhmen pritet të bashkëqeverisë. Tek ata që e uruan partinë Vox jo rastësisht ndër të parët ka qenë Viktor Orban.
Hungari: “Idoli” Orban
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ofroi modelin për kthesën djathtas. Në prill të vitit të shkuar ai siguroi mandatin e katërt, megjithëse opozita ishte bashkuar dhe kishte menduar, se kishte shanse për ndërrrimin e pushtetit. Orban dhe partia e tij nacionale e djathtë, Fidesz sipas modelit rus shpallën “demokracinë joliberale”. Tonet kundër të huajve janë pjesë normale e programit të qeverisë. Kundërshtimin e pandërprerë për të pranuar refugjatë, Orban e argumenton me atë, se hungarezët “nuk duan të bëhen një racë e përzier” dhe se vendet multikulturore europiane “nuk janë më kombe”.
Franca: Le Pen më e kujdesshme
Pas fitores së Orban ishte e para Marine Le Pen që e uroi kryeministrin hungarez. Partia e saj, “Rassemblement National” para një viti arriti në zgjedhjet parlamentare të 14-fishojë numrin e deputetëve. Pa u lodhur Le Pen ndjek planin e saj të hyjë në Pallatin Élysée si presidente. Hapi tjetër që synon ajo është fitorja në zgjedhjet europiane në vitin 2024, gjë që nuk duket më e pamundur, sepse prej 10 vitesh shumë franceze e francezë votojnë tejet djathtas.
Itali: Meloni dhe Mussolini
Giorgia Meloni nuk kishte nevojë të priste kaq gjatë. Partia e saj radikale e djathtë dhe me rrënjë tek fashizmi “Fratelli d‘Italia”nga parti e parëndësishme arriti të ngjitet në elektorat dhe të vendosë Melonin në postin e kryeministres së Italisë. Në emblemën e partisë ende qëndron flaka me të gjelbër-të bardhë e të kuqe, që për të djathtët italianë simbolikisht qëndron për flakën e përjetshme në varrin e Musolinit. Dhe me që ra fjala..për Giorgia Melonin, Musolini “është një personalitet kompleks që duhet parë në kontekst”, thotë Meloni, që karrierën e saj politike e filloi në organizatën e të rinjve neofashistë.
Suedia: Populistët forca e dytë
Jimmie Åkesson, kreu i partisë populiste të djathtë, Demokratët Suedezë kaloi nëpër një rrugë të gjatë deri tek kthesa e fortë djathtas, pasi në fillimet e veta politike ai konsiderohej i moderuar. Sot, në stilin e Donald Trump ai “do të bëjë sërish të madheSuedinë”. Në zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar, partia Demokratët Suedezë, që u krijua në vitin 1988 nga ekstremistët e djathtë suedezë, u bë forca e dytë politike.
Që atëherë kjo parti me politikën kundër migrantëve dhe islamit e vë rregullisht nën presion qeverinë e koalicionit të qendrës me të djathtët. Myslimanët për Åkesson janë “rreziku më i madh për Suedinë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Finlanda: “Finlandezët first”
Populistët e djathtë kanë gjetur jehonë edhe në Finlandë- Në këtë vend partia “Finlandezët e vërtetë” ia doli në një koalicion me katër parti të futet në qeveri. Partia populiste siguroi shtatë poste, dhe kryetarja e saj, Riika Purra madje mori postin e ministres së Financave.
Kjo politikane që më parë votonte për Të Gjelbrit do tani kthejë Finlandën “në rrugën e duhur”, duke ndërruar edhe paradigmën e migracionit me vendosjen e kuotës deri në 500 migrantë.
Sllovaki: Neonazistët në parlament
Marian Kotleba në vitin 2022 u dënua me kusht për shkak “nxitjes së një ideologjie të rrezikshme për demokracinë”Marian Kotleba në vitin 2022 u dënua me kusht për shkak “nxitjes së një ideologjie të rrezikshme për demokracinë”
Ndërkohë që Purra është shumë e butë krahasuar me Marian Kotleba, kreun e partisë neofashiste sllovake, L’SNS. Ky politikan që nxit urrejtjen kundër romëve, hebrenjve dhe homoseksualëve në vitin 2022 u dënua me kusht për shkak “nxitjes së një ideologjie të rrezikshme për demokracinë” dhe duhet të dorëzonte mandatin parlamentar. Por kjo nuk e pengoi suksesin e partisë së tij. Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020 partia sllovake arriti të marrë 17 vende në parlament. Nga zgjedhjet e parakohshme në shtator L’SNS pret madje të marrë më shumë deputetë.
Greqi: Kthesa masive djathtas
Në Greqi i fitoi zgjedhjet të dielën (25.06.) kryeministri konservator, Kyriakos Mitsotakis, por suksesi i partive ultra të djathta të bën të kuptosh, se Greqia ka marrë kthesë të fortë politike djathtas. Partia populiste greke, “Elliniki Lysi”, Zgjidhja Greke, partia ultranacionaliste dhe ultrafetare “Niki”, Fitorja dhe partia “Spartanët”, pasuese e partisë së ndaluar “Agimi i Artë” janë futur në parlament dhe së bashku zenë 13% të vendeve./DW