Bota Europa në prag të një shpërthimi të dytë të Covid-19

Europa në prag të një shpërthimi të dytë të Covid-19

Bashkimi Europian është shumë pranë një shpërthimi të dytë të pandemisë së COVID-19. Infektimet po përhapen me ritme tepër të larta javët e fundit, teksa ky 24 orësh shënoi rekorde të reja që prej heqjes së masave bllokuese.

Spanja shënoi rekordin e ri të kësaj periudhe me mbi 7 mijë raste të reja. Po ashtu edhe numri i të vdekurve arriti në 122, i vetmi vend i unionit me numër ditor treshifror të viktimave.

Franca është i dyti vend problematik në hapësirën e BE-së, që këto ditë ka qenë në një garë të vërtetë me Spanjën për kryesimin e renditjes për numrin e të prekurve. Këtë 24 orësh Franca shënoi afro 5 mijë të infektuar të tjerë.

Edhe Italia shënoi rekord të ri prej 845 rastesh të reja infektimesh, shifra më e lartë prej fundit të Majit.

Shifër të lartë prej mbi 1700 të infektuarish shënoi edhe Gjermania. Ekspertët ia venë fajin për shtimin e ritmeve të infektimit lëvizjeve të qytetarëve nëpër vende të ndryshme të Europës për të kaluar pushimet por edhe mosrespektimit të rregullave për mbajtjen e maskave dhe distancës sociale.