Shërbimet e emergjencave civile janë duke u përballur me një situatë përmbytjesh në Europën Qendrore dhe Lindore pasi shirat e rrëmbyeshëm frynë lumenjtë dhe dëmtuan me mijëra shtëpi.
Stuhia “Boris” shkaktoi viktima në Rumani, pasi katër persona humbën jetën gjatë përmbytjeve në rajonin juglindor të Galatit.
Edhe në Republikën Çeke përmbytjet kanë shkaktuar evakuimet e 51 mijë familjeve në disa zona në veri të vendit. Kompania energjetike çeke, Cez, tha se në po të njëjtat zona ka shkëputje të energjisë. Prej situatës në kryeqytetin Pragë janë ngritur argjinatura.
Polonia nga ana tjetër ka evakuuar shumë njerëz nga Glucholazy, një qytet pranë kufirit me Çekinë pasi një lumë u fry dhe doli nga shtrati.
“Po përballemi me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat janë shumë të pranishme në kontinentin europian me pasoja dramatike”, tha presidenti rumun, Klaus Iohannis të shtunën.
Ndryshimet ekstreme të motit janë duke u bërë të zakonshme në Europë, kjo për shkak edhe të ndryshimeve klimatike, shkruan BBC.
Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështirë dhe kjo sjell shira më të fuqishëm.
Kryetari i Slobozia Conachi, një fshati në Rumani tha se 700 shtëpi janë përmbytur.
“Kjo është katastrofë me përmasa të mëdha”, tha Emil Dragomir.
Në Glucholazy zjarrfikësit vendosën thasë me rërë teksa evakuonin njerëzit.
“Është e pamundur të parashikosh çfarë do të ndodhë. Kjo është hera e dytë në jetën time që e kam parë një fenomen të tillë. Është makth për njerëzit që jetojnë këtu”, tha Piotr Jakubiec, banor në këtë qytet.
Për shkak të situatës së rëndë, ndeshjet e futbollit në Poloni dhe Çeki janë anuluar.