Bota Europa po përgatitet të hyjë në luftë, Orban: Rusia nuk e ‘gllabëron’...

Europa po përgatitet të hyjë në luftë, Orban: Rusia nuk e ‘gllabëron’ dot të gjithë Perëndimin

Brukseli po përgatitet për hyrjen e Europës në luftë. Kështu pretendon kryeministri hungarez, Viktor Orban, që e vë theksin te nevoja për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Hungarisë.

Gjatë një interviste radiofonike, udhëheqësi nacionalist paralajmëroi se kishte disa ngjashmëri alarmante mes asaj që po ndodhte tani dhe kohës kur bëheshin përgatitjet për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Ajo që po ndodh sot në Bruksel dhe Uashington, por më shumë në Bruksel, krijon atmosferën e një konflikti të mundshëm ushtarak, diçka që mund ta cilësojmë si përgatitje për hyrjen e Europës në luftë”.

Orban shton më tej se një situatë e tillë bën të nevojshme forcimin e ushtrisë, pasi në këtë mënyrë mund të pengohet lufta. Megjithatë, Orban beson se frika që Rusia mund të sulmojë ndonjë shtet anëtar të NATO-s, është e pabazë, pasi lufta në Ukrainë kishte treguar limitet e kapaciteteve të Moskës.

“Nuk e konsideroj të arsyeshme që Rusia, e cila nuk po mund dot as Ukrainën të vijë papritur dhe të gllabërojë të gjithë botën perëndimore. Shanset janë shumë të ulëta.”

Orban argumenton se kapacitetet ushtarake të NATO-s, i tejkalojnë ato të Ukrainës dhe prandaj ka pak gjasa që Rusia ose çdo vend tjetër në botë të sulmojë NATO-n.

Sipas tij, referencat ndaj kërcënimit rus, janë një prelud i përfshirjes më të thellë të Perëndimit në luftën në Ukrainë, diçka që Orban po përpiqet me çdo kusht të shmangë.

Hungaria, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka refuzuar të sigurojë mbështetje ushtarake për Ukrainën, që prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.