Kontinenti më i madh dhe i populluar i botës po përballet me efektet vdekjeprurëse të motit ekstrem veror. Përveç valës së të nxehtit që ka kthyer planetin në një “ferr”, Azia po përjeton nivele rekord të shirave për shkak të sezonit muson.
Qeveritë kanë paralajmëruar banorët se më e keqja nuk ka ardhur ende. Këtë muaj shirat e rrëmbyeshëm përmbytën pjesë të Japonisë, Kinës, Koresë së Jugut dhe Indisë, duke përmbysur jetën e miliona njerëzve dhe duke shkaktuar vërshime uji, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Temperaturat rekord çuan gjithashtu në një rritje të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, veçanërisht në mesin e komuniteteve vulnerabil, siç janë të moshuarit.
Azia përjetoi thuajse të gjitha stinët në një periudhë kohore. Në Korenë e Jugut, të paktën 13 persona humbën jetën pas përmbytjes së një nënkalimi, ndërsa në total viktimat nga moti raportohen të jenë 41. Presidenti Jon Suk Jeol kërkoi përmbysjen e qasjes së vendit për motin ekstrem.
Në Japoninë fqinje, nivelet rekord të shirave sollën përmbytje shkatërruese, që u morën jetën të paktën 6 personave. Por, në të njëjtën kohë, disa pjesë të këtij shteti përjetuan temperatura ekstrem të larta deri në 40 gradë celcius.
India përjetoi së fundmi ditën më të lagësht në më shumë se 40 vitet e fundit. Kjo solli vërshime uji dhe shkatërrim në shumë zona.
Në Kinën verilindore është regjistruar temperatura më e lartë 52,2 gradë celsius, një rekord absolut për vendin aziatik. Autoritetet kanë lëshuar një alarm të kuq për të paktën dy javë në kryeqytetin Pekin. Ndotësi më i madh i planetit, po përjeton edhe reshje të dendura shiu dhe përmbytje, veçanërisht në jug.