Ekspertët kanë zbuluar se trupi i njeriut ka një “limit temperature” midis 40 gradë dhe 50 gradë, një kufi që nëse tejkalohet, mund të bëjë që trupi i njeriut të mos funksionojnë më.
Temperaturat përvëluese që kanë përfshirë gjithë Europën, detyruan autoritetet italiane të zgjerojnë hartën e qyteteve ku në fuqi është alarmi i kuq nga 10 në 15 qytete.
Masat parandaluese hynë në fuqi edhe ndër të tjera qytete edhe në Romë, Firence e Bolonja, ku qytetarëve u këshillohet të shmangin daljet nga banesat në oraret e drekës, kur nxehtësia është edhe më e lartë.
Parashikohet që temperaturat të jenë edhe më të larta javën e ardhshme jo vetëm në Itali, por edhe në Spanjë, Greqi e deri në Gjermani e Poloni.
Meteorologët parashikojnë që vala “Cerberus” të thyejë rekordin e nxehtësisë të shënuar në 2021-shit në Siçili me 48.8 gradë Celsius. Këtë javë, temperaturat në vendet e jugut të Europës kapërcyen 40 gradë Celsius.
Kjo detyroi edhe autoritetet greke të mbyllin për vizitorët Akropolin, që vizitohet nga miliona turistë çdo vit. Zonat përreth rrezikojnë të përballen edhe me zjarre, ndaj qytetarëve u është bërë thirrje t’i shmangin sa më shumë.
Temperaturat e larta po kalojnë edhe kufirin e asaj që mund të durojë trupi ynë
Një studim i publikuar së fundi tregoi se për shkak të valës së të nxehtit mbi 61.000 persona kanë vdekur verën e kaluar në Europë, kur temperaturat ishin të përafërta me të njëjtën stinë të këtij viti, ndërsa ekspertët kanë zbuluar se sa nxehtë është “shumë nxehtë” për trupin tonë.
Sipas një studimi të fundit të publikuar nga studiuesit në Universitetin e Roehampton në Londër, trupi i njeriut ka një “temperaturë të lartë kritike” të cilën mund ta tolerojë në mënyrë të sigurt midis 40 dhe 50 gradë Celsius. Pas arritjes së kësaj temperature, trupi ynë përjeton “stres të nxehtësisë”, një gjendje që shkakton konfuzion, të vjella, marramendje, dhimbje koke dhe të fikët.
“Temperaturat në Europë janë rritur me rreth dy gradë në krahasim me kushtet para-industriale gjatë dekadave të fundit, dhe kjo është diku rreth dyfishi i mesatares globale”, thotë Matthew Patterson, asistent në Universitetin e Oksfordit.
Ai tha se Europa do të vazhdojë të ketë rekorde nxehtësie, diçka që është shumë e dëmshme për njerëzit.
Si e gjetën ekspertët kufirin e temperaturës së trupit?
Profesor Lewis Halsey, studiues në Universitetin e Roehampton në Londër, dhe kolegët e tij bënë një eksperiment në vitin 2021 me 4 burra dhe 3 gra për të matur limitin e temperaturës së trupit.
“Ajo që ne po regjistronim ishte një rritje në shkallën metabolike”, tha Halsey. Shkalla metabolike mat se sa energji konsumon trupi i njeriut për të vazhduar ‘punën’.
Kur jashtë është nxehtë, trupi ynë ka mënyra të ndryshme për të ftohur dhe ulur temperaturën e brendshme, duke përfshirë djersitjen.
Ajo që ndodh gjithashtu kur jashtë është nxehtë, zbuluan Halsey dhe kolegët e tij, është se shkalla jonë metabolike rritet, e cila nga ana tjetër rrit temperaturën e trupit.
Sa nxehtë është shumë e nxehtë?
Sipas Halsey, “të gjithë janë të ndryshëm” dhe reagimi i njerëzve ndaj nxehtësisë mund të ndryshojë ndjeshëm në varësi të moshës, gjinisë dhe problemeve ekzistuese shëndetësore.
“Shkalla metabolike e disa njerëzve nuk u rrit në 40 gradë, por u rrit në 50 gradë”, tha ai.
“Trupi punon shumë për të mbrojtur temperaturën bazë, nuk i pëlqen që ajo të ndryshojë. Nëse rritet me një ose dy gradë, nuk shkakton dëm për shumicën e njerëzve. Disa vrapues maratonë janë me një temperaturë bazë prej 42 gradë, dhe kjo për shkak të vrapimit në një mjedis të nxehtë”, por edhe vrapuesit fillojnë të vuajnë në temperaturat 44 gradë.
Fëmijët dhe të moshuarit janë ndër kategoritë më të cenueshme ndaj nxehtësisë ekstreme, pasi sistemet kardiovaskulare të të dyve nuk reagojnë mirë ndaj temperaturave të larta.
Çfarë ndodh kur trupi ngrohet shumë?
Ka një sërë gjërash që ndodhin kur trupi juaj nxehet shumë, tha Halsey, pasi nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë që temperatura të rritet në një pikë ku gjeneron një efekt të rrezikshëm që mund të çojë në probleme shëndetësore dhe madje edhe vdekje.
“Proteinat e trupit fillojnë të ndalojnë së funksionuari dhe impulset nervore nuk funksionojnë aq mirë. Sistemi nervor është më pak efektiv, dhe kjo ndikon edhe në trup. Gjithashtu të gjitha këto fillojnë të ndikojnë në zemër”, thotë Halsey.
“Kur flasim për ndryshimin e klimës, janë njerëzit për të cilët po mendojmë veçanërisht”, thotë Patterson, duke shtuar se studiuesit po mundohen të kuptojnë se si mund të jetohet në një planet që është dy apo më shumë gradë më i nxehtë.