Europianët rifitojnë më shumë prej lirive të humbura, ndërsa shtete rreth kontinentit të vjetër zbutën edhe më tej kufizimet, me shpresën se kjo nuk do të nxisë një valë të dytë infektimesh.
Izolimi i rreptë 54-ditor kundër koronavirusit në Francë përfundoi zyrtarisht sot, por shumë kufizime mbeten ende në fuqi.
Tashmë francezët do të jenë në gjendje të dalin nga shtëpitë pa nënshkruar një deklaratë me arsyen pse kanë dalë dhe do të rihapen shumica e dyqaneve dhe vendeve të punës.
Megjithatë, në një vend me një nga numrat më të lartë të viktimave në Europë nga COVID-19, autoritetet do të përpiqen të mbajnë grumbullimet sociale në minimum.
Sipas qeverisë, kushdo që mund të vazhdojë të punojë nga shtëpia duhet të bëjë akoma. Kafenetë dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura.
Shkollat fillore do të rihapin gradualisht duke filluar këtë javë, ndërsa shkollat e mesme javën e ardhshme, vetëm në zonat më pak të prekura nga COVID-19.
Shumica e bizneseve u hapën të hënën edhe në Belgjikë, ndërsa në Holandë do të hapen pjesërisht shkollat fillore, libraritë, autoshkollat dhe parukeritë.
Zvicra do të lejojë rikthimin në banka, të nxënësve të shkollave fillore e atyre të mesme, por klasat do të jenë të reduktura në numër. Edhe restorantet, libraritë e muzetë mund të presin klientë, por nën rregullat strikte të distancimit social.
Në disa rajone të Spanjës, pa përfshirë Madridin dhe Barcelonën, grumbullimet deri në 10 persona do të lejohen, dhe baret e restorantet në ambient të hapur do të rihapen. Kriza shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm në Spanjë, me numrin e viktimave ditore që vazhdon të mbetet nën 200.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson zbuloi një plan shumë të kujdesshëm për lehtësimin e masave, duke lejuar qytetarët në Angli të kalojnë më shumë kohë jashtë banesave nga e mërkura.
Ata që nuk mund të punojnë nga shtëpia mund të kthehen në punë, ndërsa nxënësit e shkollave fillore mund të kthehen në klasa nga 1 qershori. Johnson tha se rreziku nuk kishte kaluar dhe se vigjilenca duhet të mbetet maksimale. Plani përfshin vetëm për Anglinë, ndërsa Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut mund të vendosin vetë strategjinë e rihapjes.
Kroacia hap kufijtë nën kushte speciale
Qytetarëve kroatë do t’u lejohet të hyjnë në Kroaci dhe të shkojnë jashtë vendit për arsye biznesi ose interesa të tjera ekonomike, ndërkohë që edhe shtetasit e huaj do të jenë në gjendje të hyjnë në Kroaci për arsye urgjente personale, deklaroi ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviç.
Ai gjithashtu njoftoi se sot fillon faza e tretë e relaksimit të masave.
“Bashkimi Evropian ka bërë një rekomandim për të gjitha vendet anëtare dhe ne do t’i përmbahemi asaj për sa i përket zgjatjes së ndalimit ose rekomandimit që shtetasit e vendeve të treta nuk mund të hyjnë në BE deri më 15 qershor”, tha ai.
”Ky vendim vlen për vendet anëtare të BE-së, qytetarë të atyre vendeve, kështu që ky është qëllimi i Republikës së Kroacisë dhe ky vendim ka të bëjë me një numër aktivitetesh ekonomike dhe takimesh biznesi. Rekomandimet e Institutit Kroat të Shëndetit janë në përputhje me faktin se çdo kalim, çdo person që vjen nga ato vende në vendkalimet tona kufitare do të marrë udhëzime të qarta se çfarë dhe si do të veprohet”, tha Bozhinoviç.
”Ne besojmë se me bashkëpunimin e policisë kufitare, inspektimeve të tjera dhe natyrisht me shërbimin epidemiologjik, do të jemi në gjendje të monitorojmë dhe kontrollojmë këtë situatë”, theksoi ai.
“Sa për qytetarët kroatë që banojnë në Kroaci ose një vend tjetër, ata do të jenë në gjendje të hyjnë në Republikën e Kroacisë për arsye biznesi ose personale dhe t’u përmbahen rekomandimeve që do të marrin me shkrim. Shërbimet do të sigurojnë që ata të veprojnë në përputhje me udhëzimet”, përfundoi Bozhinoviç.