Kulturë Eurovision-i fshin foton “provokuese” të Ronela Hajatit nga Instagrami

Eurovision-i fshin foton “provokuese” të Ronela Hajatit nga Instagrami

Provat e festivalit të Eurovision-it janë ekspozuar përmes një galerie me foto në faqen zyrtare në Instagram.

Njësoj ndodhi dhe me Ronela Hajatin, e cila përfaqëson Shqipërinë me këngën “Sekret”. Vetëm se fotot e këngëtares u fshinë, për t’u hedhur pak më vonë pa njërën prej tyre.

Ronela kishte një foto në galerinë e saj që siç duket është cilësuar si provokuese nga organizatorët e Eurovision-it.

Kjo është shoqëruar me pikëpyetje nga ndjekësit, por jo vetëm. Një faqe në Instagram që i dedikohet përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision ka shfaqur hapur shqetësimin për këtë gjest të faqes zyrtare.

“Mesditën e së dielës galeria e fotove të Ronelës u hoq nga llogaria zyrtare e Eurovizionit në Instagram. Më pas u ripostua, por pa foton e parë. Nuk është dhënë asnjë shpjegim dhe Shqipëria ishte i vetmi vend të cilit iu hoq postimi dhe u rihodh më vonë,” – thuhet në faqen e Eurovision Albania që theksonte se këngëtarja shqiptare mori vëmendje kudo, në të gjitha platformat sociale me performancën e saj.

Sipas tyre fshirja e fotove është censurim duke qenë se postimi kishte 25 mijë pëlqime, më shumë se çdo postim tjetër.

Për momentin, është e paqartë nëse këngëtares i është kërkuar që të ndryshojë koreografinë.