Një gjykatë izraelite ka dënuar modelen Bar Refaeli me nëntë muaj shërbim të detyrueshëm komunitar, ndërsa nënën e saj me 16 muaj burg, duke i dhënë fund një çështje të gjatë evazioni fiskal që ka dëmtuar imazhin e një prej ikonave më të dashura dikur në Izrael.
Modelja hyri në sallën e gjyqit me një maskë mbrojtëse në fytyrë, e shoqëruar nga prindërit dhe avokati i saj. 35-vjeçarja Bar Refaeli dhe nëna e saj u shpallën fajtore në korrik për evazion fiskal të të ardhurave prej gati 10 milion dollarësh.
Duke ju referuar marrëveshjes të pranuar nga gjykata, ato duhet të paguajnë një gjobë prej 1.5 milion dollarëshe si dhe t’i kthejnë taksat e papaguara shtetit.
Javën e ardhshme, Zipi Refaeli do të fillojë vuajtjen e dënimit me burg.
Çështja lidhet me të ardhurat e modeles dhe tentativat e familjes së saj për paguar detyrimet ndaj shtetit izraelit.
Ajo është mjaft e njohur në mbarë botën dhe fotot e saj janë ende të afishuara kudo në Izrael.
Refaeli pretendon se ka qëndruar shumë pak në Izrael, dhe nuk e ka parë të arsyeshme të deklarojë të ardhurat e saj ndër vite.
Në aktakuzë thuhet se modelja për periudhën 2009-2012 ka arritur rreth 7.2 milion dollar fitime duke pretenduar se jetonte jashtë vendit për t’ju shmangur pagesës së taksave.
Gjatë seancave të para, një gjykatë izraelite përcaktoi marrëdhënien e saj me aktorin Leonardo Di Caprio si “jo familjare” dhe për rrjedhojë qëndrimi saj në SHBA nuk përbente kusht për shmangien e taksave në Izrael.
Avokatët e modeles thanë se marrëveshja tregonte se shmangja e pagimit të taksave nuk ishte e qëllimshme.
Nëna e saj që është njëkohësisht edhe menaxherja e saj akuzohet për mos deklarim të të ardhurave dhe evazion fiskal.