Cristiano Ronaldo është kthyer edhe njëherë në qendër të polemikave tek Manchester United. U duk sikur goli i shënuar ndaj Everton do të jepte rezultatet e duhura dhe se portugezi më në fund kishte fituar vendin e tij në hierarkinë e teknikut Erik Ten Hag.
Mirëpo, holandezi e uli sërish në stol në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Tottenham, e për më tepër pasi e ftoi në nxehje në fundin e pjesës së parë, në fraksionin e dytë e injoroi tërësisht sulmuesin duke mos e përdorur për asnjë minutë.
Një zgjedhje që nuk i pëlqeu aspak CR7 i cili vendosi në mënyrë demonstrativë sapo Ten Hag mbylli zëvendësimet, të largohej nga Old Trafford në minutën e 89-të. Pas këtij episodi, shumë personazhe u vendosën në krah të Ronaldos, e një prej tyre është Patrice Evra. Ish-mbrojtësi që ka luajtur me luzitanin te United, theksoi se Ten Hag nuk po e respekton Ronaldon.
“Nëse unë do të isha në vend të Ten Hag, atëherë ndaj Tottenham do të hidhja në fushë Cristiano Ronaldon, madje nga minuta e parë. Dëgjova një intervistë të Ten Hag pas ndeshjes së humbur me Manchester City se nuk e aktivizoi Ronaldon në shenjë respekti. Por, unë jam i bindur se Ten Hag nuk e respekton aq sa thotë Ronaldon, pasi në të kundërt ndaj Tottenham do të duhej ta kishte aktivizuar si titullar“, tha Evra.
Në mbrojtje të 37-vjeçarit ka dalë Rio Ferdinand, ish-shoku i shumë fitoreve dhe trofeve gjatë kohës që United drejtohej nga Sir Alex Ferguson.
“Nëse Ten Hag nuk e sheh si titullar, duhet ta lërë Ronaldon të largohet nga klubi në janar. Nuk është e drejtë që pas çdo ndeshje pyetja e parë të jetë: “Pse nuk ishte Ronaldo titullar?” Më shqetëson fakti që pse nuk e la United të largohej, nëse Ten Hag nuk e kishte në planet e tij”, deklaroi ish-mbrojtësi i “Djajve të Kuq”.
Drejtuesit e United pritet të marrim masa ndaj veprimit të sulmuesit portugez në minutën e fundit të fitores ndaj Tottenhamit të Contes. Ronaldon e pret një gjobë, ndërkohë që Ten Hag pritet të mos e grumbullojë për duelin e ardhshëm ndaj Chelsea.