Sport Evra me zemër bardhezi: Ky Juventus fiton titullin, më kujton Italinë e...

Evra me zemër bardhezi: Ky Juventus fiton titullin, më kujton Italinë e Lippit në vitin 2006

Patrice Evra, ish-mbrojtësi i Juventusit, ka dhënë një intervistë për gazetën “Tuttosport”, duke u ndalur te bardhezinjtë dhe ky fillim shumë i rëndësishëm në pjesën e parë të kampionatit.

Si e shihni Juventusin “tuaj” këtë sezon, i dyti në renditje, dy pikë prapa Interit, pavarësisht se në verë bëri merkato praktikisht vetëm në shitje dhe një blerje të vetme?

Fjala e parë që më vjen në mendje është mrekulli. Por nuk është kështu, do të ishte një nënvlerësim. Puna e bërë nga Max Allegri ishte e mahnitshme. Ai përveshi mëngët dhe nxori nga “kapelja” një ekip kompakt, solid, agresiv, luftarak, i pakalueshëm.

U fol për vendin e katërt në fund të gushtit, por tashmë edhe fjala titull po lakohet te bardhezinjtë…

Për shkak se Juve është Juve, e ka trengjyrëshin në ADN-në e vet.

Cili mendoni se ishte çelësi i ndryshimit në krahasim me sezonin e kaluar negativ?

Të mos harrojmë se Juventusi përfundoi i treti sezonin e kaluar, duke marrë parasysh pikët e fituara në fushë. Për këtë arsye dikush tjetër duhet të kishte mbetur jashtë Champions League… Sigurisht që nuk ishte faji i skuadrës, ishin 15 pikët penalizim në kampionat, që më vonë u reduktuan në 10 pikë, gjoba, përjashtimi nga Europa. Djemtë e kanë peng atë që ndodhi dhe këtë sezon janë të inatosur, të emocionuar, të uritur për hakmarrje. Shoh shumë ngjashmëri mes këtij Juventusi dhe kombëtares italiane 2006, që fitoi Kupën e Botës në Berlin, për fat të keq kundër nesh. Kombëtarja e Lippit reagoi ndaj vendimeve të gjyqtarëve që vendosën sanksionet për ‘Calciopoli’. Kjo është arsyeja pse unë them se Juve ka atë që duhet për të fituar titullin.

Mirë, po Interi? Kryesuesit e Serie A, objektivisht kanë një skuadër më të vlefshme se Juventusi…

Por diferenca në renditje është vetëm 2 pikë. Dhe tashmë kanë kaluar 15 javë kampionati. Nuk është as e rrezikshme dhe as e nxituar për të nxjerrë përfundimet e para. Vlerat midis dy të parëve janë shumë të balancuara. Interi ka sulmin dhe mbrojtjen më të mirë. Juve është mbrojtja e dytë më e mirë. Zikaltrit shpesh e arrijnë suksesin me Lautaro Martínez, që është fundi i tyre sulmues dhe golashënuesi më i mirë i Serie A me 14 gola, ndërsa bardhezinjtë tashmë kanë shënuar me 11 lojtarë të ndryshëm, edhe nëse qendërsulmuesi Vlahovic ka shënuar 5 gola dhe Chiesa një më pak. Gatti ka 3 gola dhe është mbrojtësi më ‘pjellor’ në kampionat. Dy stile loje të ndryshme dhe po aq efektive. Përplasja direkte e disa javëve më parë, e cila përfundoi 1-1, nuk i shfaqi në mënyrë sensacionale dallimet mes dy skuadrave.

Fakti mbetet se loja e Juventusit nuk është më e bukura…

Këto janë kritika që shumë tifozë ia bëjnë Allegrit. Megjithatë, unë përsëris një koncept të mësuar nga Max: për argëtim mjafton të shkosh në cirk, për 3 pikët mjafton të mbështesësh Juven deri në fund. Renditja përbëhet nga pikët e fituara në fushë, jo nga ‘numrat’ e prestigjatorit. Dhe pastaj ka një aspekt tjetër jo dytësor për t’u marrë parasysh…

Që është…

Fakti që Interi i frikësohet Juventusit. Zikaltrit e dinë mirë se juventinët janë të fortë, të etur për ‘hakmarrje’ dhe fitore.

Nga e di Jua ka treguar ndonjë lojtar bardhezi këtë?

Patjetër, por nuk do t’ua përmend kurrë emrat, as nën tortura.

Gjatë gjithë karrierës tuaj je trajnuar nga shumë trajnerë të mëdhenj. Cili ishte më i miri?

Një lojtar përpiqet të marrë më të mirën nga çdo trajner që ka pasur. Nuk është mister që unë fitova Ligën e Kampionëve me Manchester United, nën drejtimin e legjendarit Sir Alex Ferguson. Ai më dha lirinë në fushë, gjithmonë donte të impononim lojën tonë në çdo stadium të botës, pa shumë taktika apo sofizma. Allegri është pak si trajneri skocez. Futbolli është një lojë e thjeshtë, taktika vlen, por deri në një pikë të caktuar.