Rregullim, hedhje e sendeve, dhurimi i tyre, është për shumë vetë hapi i parë për të gjetur harmoni dhe qetësi. Po kujtesa ka nevojë për gjurmët e saj, mendon Carmen-Franceska Banciu
Nga Carmen-Franceska Banciu*
Tendenca e minimalizmit ka vite që është në rritje. Shumë njerëz që ndodhen në fillim të moshës së rritur ose pak para daljes në pension, duan të jetojnë duke menduar edhe për brezat e mëvonshën, të jetojnë me sa më pak sende, të mënjanojnë tepritë, të përqëndrohen tek gjërat më kryesore. Kjo ka të bëjë me një filozofi më vete, me një qëndrim etik dhe social që ka për bazë heqjen dorë në mënyrë të vetëdijshme nga shumë gjëra dhe marrjen e përgjegjësisë në trajtimin e burimeve, trajtimin e kafshëve dhe njerëzve të tjerë.
Jetë minimaliste: e çliruar nga ngarkesat e panevojshme dhe jetë që të ketë kuptim. Doktrina e Feng Shui-t, që propagandon harmonizimin e njeriut me ambientin rekomandon reduktim të përhershëm të sendeve, në mënyrë që të mbahet në lëvizje Chi-ja, rrjedha e energjisë. Ne jetojmë në një kohë kur njerëzit janë të etur për heqjen e ngarkesave të tepërta, për harmoni dhe kohë të lirë. Në kërkim të orientimit. Largimi i sendeve të panevojshme dhe krijimi i rregullit, premton arritjen e harmonisë. Jeta çlirohet nga ngarkesa, bëhet më e lehtë. Heqja dorë nga gjërat, premton vazhdimin e jetës së njeriut në planet.
Reduktimi është në modë
Udhëzimet e Marie Kondosit për të rregulluar shtëpitë kanë rënë si rrufe. Ethet e rregullimit dhe reduktimit të sendeve kanë zënë miliona vetë. Dhe minimalizmi është kthyer në qëllim në vetvete. Virtyti modern është heqje dorë prej sendeve të panevojshme. Disa vetë madje morën vrapin për të hedhur poshtë bibliotekën e tyre duke i besuar wikipedias dhe volumit të ruajtjes në Cloud. Disa të tjerë i besojnë kronikës Akasha të esoterisë, bibliotekave me gjethe palme, universit të holografisë dhe përdorimit të informacionit dhe dijeve pa fund të internetit.
Disa të tjerë kanë digjitalizuar fotogragitë e tyre dhe kanë hedhur kutitë me fotografi familjare. Unë vetë kam fotografi të bëra me handy që vetëm pas dhjetë vjetësh duken të zbardhura, të ruajtura në disqe dhe në disketa që janë kthyer në të palexueshme.
Pak kohë më parë Swisscom shuajti pa dashje të dhënat e mijëra vetëve, të dhëna që i ishin besuar për t’ i ruajtur. Këta njerëz jo vetëm që humbën përjetë dokumenta shumë të rëndësishme, por edhe kujtime të tjera personale, që kujtonin se i kishin siguruar në një sistem të sigurt.
A mund të dëmshpërblehet njeriu për humbjen e kujtimeve që janë pjesë e identitetit të tij? Si do të vazhdojmë të jetojmë më tej pa këto kujtime? Si do të jetojnë fëmijët tanë pa e ditur kush kemi qenë ne? A jemi duke u përgatitur tani për një të ardhme pa kujtime? Çfarë do të tregohet për ne në të ardhmen? Çfarë do të tregohet për ne nëse zhdukim letrat, fotografitë, sendet dhe humbasim gjurmën e vogla dhe në dukje të parëndësishme? Mbase në këtë mënyrë do të hapet më shumë vend në botë. Por çfarë bote do të jetë ajo?
Shumë të rinj jetojnë sot në apartamente që i ndajnë me të tjerë, me pak hapësirë për të lënë gjurmë kujtimesh personale. Kush ka lënë tek shtëpia e prindërve, në papafingo valixhe të pluhurosura dhe sënduqe me thesare të vërteta në to, sende ose gjëra me vlera ideale?
Copa letre si kujtime
Kur erdha në Gjermani unë kisha me vete vetëm një manuskript në çantë. Më vonë isha në gjendje të merrja edhe disa fotografi dhe sende të vogla. Fëmijët e mi gëzohen për çdo copëz letre, për çdo send që u kujton kohën kur kanë qenë në Rumani. Për fotografinë e stërgjyshes sime. Për një çantë të vogël të gjyshes së tyre, e cila ka vdekur në moshë të re. Këtë e ka prekur gjyshja, thonë ata. Çanta është po ashtu një kujtim, që unë e kam përdorur në një roman.
Kur prindërit e poetit anglez George Szirtes kaluan kufirin e Hungarisë për të shkuar në Perëndim, kur ai ishte tetë vjeç, ata i besuan të mbante një valixhe të vogël. Në të ndodheshin fotografitë e familjes. Arratisja e tyre ka ndodhur shumë dekada më parë. Sivjet George i botoi ato në një memoar shumë emocionues, The Photographer at Sixteen, një libër që bazohet në fotografitë familjare të valixhes së vogël. Libri me gjurmët e kujtesës është në rrugë për tu kthyer në Bestseller.
Me kujtimet tona ne mund të shkruajmë shumë romane. Sa e varfër do të kishte qenë historia e letërsisë por edhe jeta jonë pa gjurmët që të tjerët kanë lënë për ne. Sa e thatë, e varfër do të jetë jeta e brezave të ardhshëm, kur ata të mos jenë në gjendje të gjejnë biletën e kinemasë të stërgjyshit, kur ka shkuar për herë të parë të shohë një film. Ta gjejnë në ditarin e gjyshes. Kjo e gjitha është nostalgji e pakuptimtë, që mbledh pluhur, që zë vend, thonë disa. Gjurmët e së kaluarës sime. Gjurmët e mia. Një pjesë imja. Unë. Ne. Thonë të tjerët.
Refugjatët, minimalistët e vërtetë
Pastrim, lehtësim, çlirim, heqje dorë. Heqje dorë si virtyt në emër të domosdoshmërisë. A ia vlen të jetosh në një botë pa kujtime, pa lidhje me të parët, pa gjurmë personale të së kaluarës? Dhe të presësh që një ditë të vijë thirrja që të shkatërrohen bibliotekat, muzeumet në mënyrë që të krijohet hapësirë e lirë? Po ku do dërgohen të gjitha këto gjëra? Kur nuk gjej më përgjigje, unë i kthehem ligjeve të fizikës njëri prej të cilit thotë se asgjë në natyrë nuk zhduket, por transformohet nga një formë në tjetrën.
Refugjatët janë minimalistë të vërtetë. Kur dikush kalon me varkë detin, rrallë ka me vete ndonjë send personal. Ajo që i mbetet dikujt është shpresa që një ditë të mund të kthehet në atdhe dhe lufta ose shkatërrimi të mos i ketë zhdukur gjurmët personale të së kaluarës. Kështu që historia të ndërthuret nga e para. Kujtimet duhen për t’ua lënë pasardhësve. Por ato duhen edhe për vete, nëse e fillon jetën nga zero në atdheun e ri. Për t’u integruar në vendin e ri, të ndihmon të sjellësh me vete jetën e vjetër. Për të gjetur një vend në atdheun e ri.
*Carmen-Francesca Banciu, e lindur në Rumani, ka ardhur në vitin 1991 në Berlin e ftuar nga programi i DAAD për artistët. Që nga viti 1992 ajo jeton këtu si autore, publiciste, bashkëbotuese dhe docente e shkrimit kreativ. Që nga viti 1996 ajo shkruan kryesisht në gjuhën gjermane. Banciu ka marrë disa çmime dhe bursa.
Burimi: DW