Kompania teknologjike Meta planifikon të tarifojë përdoruesit në Evropë për planet e abonimit pa reklama për Instagram dhe Facebook, raportoi ”Wall Street Journal”.
”Gjiganti i teknologjisë është në bisedime me rregullatorët e mbrojtjes së të dhënave të Bashkimit Evropian për të filluar një version pa abonim të shërbimit të tij në rajon”, thuhet në raport.
Përdoruesit që nuk duan të paguajnë një tarifë prej 14 dollarësh apo edhe 17 dollarësh në muaj për të hyrë në aplikacionet Meta në Facebook dhe Instagram, do të duhet të pranojnë të ashtuquajturat “reklama të personalizuara”, të cilat do t’i lejojnë Metës të gjurmojë aktivitetin në internet të një përdoruesi.
Ky propozim i bërë nga Meta adreson rregulloret e BE-së që mund të ndikojnë në praktikat e personalizuara të reklamimit.
BE-ja ka zbatuar dhe forcuar rregulloret për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë, siç është Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), për të mbrojtur të dhënat e përdoruesit dhe të drejtat e privatësisë.
Reklamat e personalizuara përbëjnë pjesën kryesore të të ardhurave për kompani si Meta, pasi ato mbështeten në të dhënat e përdoruesve për të synuar reklamat në mënyrë më efektive.
Megjithatë, rregulloret e BE-së synojnë t’u japin përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre dhe kërkojnë që kompanitë të marrin pëlqimin e qartë për disa aktivitete të përpunimit të të dhënave, duke përfshirë reklamimin e personalizuar.
Ofrimi i një zgjedhjeje midis një plani falas, të mbështetur nga reklama dhe një abonimi me pagesë, zakonisht do të bëjë që më shumë përdorues të zgjedhin të parin, duke ndihmuar Metën të respektojë rregulloret pa ndikuar në biznesin e saj të reklamave.
Një zëdhënës i Meta tha se kompania beson në shërbimet falas të cilat mbështeten nga reklama të personalizuara, por është e hapur për të eksploruar opsione për t’u pajtuar me ‘kërkesat rregullatore në zhvillim’.
Sipas vlerësimeve të Meta, kompania kishte rreth 258 milionë përdorues mujor të Facebook dhe 257 milionë Instagram gjatë gjysmës së parë të 2023–shit.