Komisioni Federal amerikan i Tregtisë (FTC) dhe pothuajse çdo shtet paditi të mërkurën kompaninë e medias sociale Facebook me pretendimet se ka shkelur ligjin kundër monopoleve, duke kërkuar shitjen e disa zotërimeve të saj.
Me paraqitjen e dy padive të ngjashme, Facebook-u bëhet kompania e dytë më e madhe e teknologjisë që përballet me një sfidë të madhe ligjore muajt e fundit.
FTC-ja tha në një deklaratë se do të kërkonte një urdhër gjykate i cili “mes të tjerash do të kërkonte shitjen e kompanive në pronësi të Facebook-ut sikurse Instagram-in dhe WhatsApp-in”.
Në ankesën e tij, koalicioni prej 46 shtetesh, përfshirë kryeqytetin e vendit Uashington si dhe ishulli i Guamit, një territor ky amerikan, kërkon që të shpallet e paligjshme blerja e WhatsApp-it dhe Instagram-it nga Facebook-u.
“Për gati një dekadë Facebook-u ka përdorur mbizotërimin dhe fuqinë e tij përmes monopolit për të shtypur rivalët e tij të vegjël, për të shkatërruar konkurrencën, e gjitha në kurriz të përdoruesve”, tha Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James.
Zonja James tha se kompania përdori shuma të mëdha parash për t’i blerë rivalët përpara se ata të shndëroheshin në kërcënim për dominimin e tregut nga kjo kompani.
Përfaqësues të Facebook-ut bënë të ditur se po shqyrtojnë ankimet e FTC-së dhe të disa shteteve lidhur me shkeljen e ligjit që rregullon veprimtarinë në treg të biznese duke mbështetur konkurrencën në shërbim të konsumatorëve. Kompania tha se qeveria “tashmë dëshiron t’i bëjë gjërat nga e para, pa marrë parasysh ndikimin që do të kishte precedenti në komunitetin e gjerë të biznesit ose tek njerëzit që zgjedhin produktet tona çdo ditë”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë paditi në tetor Google Alphabet-in, duke e akuzuar kompaninë me një vlerë në treg prej 1 trilion dollarësh për përdorimin e fuqisë së saj në treg për të eliminuar konkurrencën.
Këto padi konsiderohen si çështjet më të mëdha gjyqësore të lidhura me ligjin kundër monopoleve ndër breza, të krahasueshme me procesin gjyqësor kundër Microsoft-it në 1998.
Qeveria federale përfundimisht e zgjidhi çështjen me marrëveshje me Microsoft-in, por lufta e gjatë gjyqësore bëri që kompania të mos shmangte dot konkurrentët dhe besohet se i hapi rrugë rritjes shpërthyese të internetit.
Pas njoftimit aksionet e Facebook-ut pësuan fillimisht një rënie prej 3% dhe më pas e mbyllën ditën me një humbje prej 1.7%./VOA