Nga Gjergj Erebara / BIRN
Dy partitë kryesore në Shqipëri, PS dhe PD dolën më të fuqishme se katër vjet më parë në qarkun problematik të Elbasanit në zgjedhjet e 25 prillit, duke përfituar mandatet shtesë që më herët i kishin fituar LSI dhe PDIU. Katër parti të vogla, LSI, Nisma Thurrje, Lëvizja për Ndryshim dhe Bindja Demokratike, rezultuan faktorë me peshë jo të vogël në qark, por gjithsesi jo të mjaftueshme për të ndikuar në llogaritë e ndarjes së mandateve.
Socialistët arritën të marrin tetë mandate, një më shumë se sa në vitin 2017, ndërsa PD mori gjashtë mandate, ose tre më shumë. Të katër mandatet që u morën nga dy të mëdhenjtë ishin fituar katër vjet më parë nga LSI dhe PDIU. Partia qendrore e PDIU garoi kësaj here në listat e PD-së, por elementët e saj vendorë në qarkun e Elbasanit garuan përkrah socialistëve.
Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet duke marrë 55% të votave, rezultati i saj më i lartë në historinë e zgjedhjeve me proporcional rajonal. Ajo mori 86 mijë vota ose 14 mijë më shumë se sa në vitin 2017 dhe duket se integrimi i elementëve vendorë të PDIU ishin një ndër faktorët që u solli fitoren.
Në garën për Elbasanin, Partia Socialiste u hapi dyert politikanëve vendorë nga të gjitha krahët. Saimir Hasalla, i njohur për lidhjen me ish-deputetin Aqif Rakipi dhe ish-kryebashkiak i Peqinit, garoi i pesti në listën e socialistëve dhe arriti të marrë mbi 11,500 vota pëlqyese.
Luan Duzha, një kandidat që ka shëtitur nga Partia Republikane në Lëvizjen Socialiste për Integrim përpara se të renditej i shtati në listën e PS-së mori gjithashtu 6,900 vota personale. Edhe ish-deputeti tjetër i LSI, Enver Roshi duket se ndihmoi me afro 1700 vota personale.
Partia Demokratike njohu gjithashtu rritje, duke marrë 24 mijë vota më shumë se sa katër vjet më parë, ndërsa LSI humbi 16 mijë vota. PD dhe LSI së bashku morën rreth 7 mijë vota më shumë, por kjo ishte e pamjaftueshme dhe vetëm gjysma e votave të shtuara nga socialistët në Elbasan.
Shtatë mijë votat e marra nga LSI dhe 3500 votat e tjera që u morën nga partitë e vogla opozitare nuk dhanë efekt në ndarjen e mandateve. Rezultatet e votave sipas bashkive sugjerojnë se PS i ka fituar të shtata bashkitë e qarkut, Elbasanin, Librazhdin, Prrenjasin, Cërrikun, Gramshin, Belshin dhe Peqinin.
Taulant Balla është kandidati më i votuar në Elbasan me 22 mijë vota personale, ndërsa Saimir Hasalla është i dyti.
Luçiano Boçi, kandidati i shtatë në listën e demokratëve, është nga të paktit kandidatë të vendosur nga partitë në pjesën humbëse të listave që kaloi në pjesën fituese, duke marrë 11 mijë vota pëlqyese.
Rreth 85% e votuesve të dy partive të mëdha hodhën edhe një votë pëlqyese për kandidatët.
Qarku i Elbasanit ka rëndësi për palët politike për shkak se nxjerr 14 kandidatë. Në vitin 2009, PD dhe PS dolën barazim, duke ndarë nga shtatë mandate secila pavarësisht se PS kishte më shumë vota. Në vitin 2013, PD dhe dy aleatët e saj, PDIU dhe PR, ranë në gjashtë mandate dhe po kështu ra edhe PS. LSI, e cila garoi në aleancë me PS-në, arriti të marrë dy mandate ndërsa më vonë mori edhe deputetin Luan Duzha, i cili u zgjodh si i PR-së në koalicionin e djathtë. Më 2017, Aqif Rakipi, deputet i PDIU-së i zgjedhur si pjesë e koalicionit të PD-së, garoi më vete dhe triumfoi sërish, ndërsa më 2021, djali i tij garoi për PS-në.
Zgjedhjet e Elbasanit u zhvilluan në një klimë veçanërisht të egër me akuza të ndërsjellta për përfshirje të strukturave famëkeqe të krimit të organizuar në fushatën zgjedhore. Një përplasje me armë në sytë e policisë mes palëve më 21 prill përfundoi me një të vdekur dhe katër të plagosur.