Aktualitet Falsifikuan dhe shitën nga 400 euro 60 bileta të ndeshjes Shqipëri-Çeki, në...

Falsifikuan dhe shitën nga 400 euro 60 bileta të ndeshjes Shqipëri-Çeki, në pranga dy persona

Kërkesa për bileta në ndeshjen Shqipëri-Çeki ishte shumë e lartë. Kjo bëri që shumë tifozë të ofronin çmime të larta për ta blerë një të tillë.

Megjithatë ka patur edhe shumë raste mashtrimi. Policia njoftoi këtë të premte se janë vënë në pranga dy persona, njëri 35 vjeç dhe tjetri 31 vjeç. Ata falsifikuan të paktën 60 bileta dhe i shitën për çmime deri në 400 euro.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rastit të shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime shumë të larta, me anë të mashtrimit, që u godit ditën e djeshme, kanë vënë në pranga 2 nga shtetasit që ishin në hetim për këtë rast, konkretisht: A. O. dhe S. A., të dy banues në Tiranë. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i kanë shitur ato me çmime deri në 400 Euro”, njoftoi policia.

Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.