Sanja Bujas-Juraga e ka përfunduar misionin e saj si ambasadore e Kroacisë në Tiranë, por ajo do të rikthehet sërish në vendin tonë për të vizituar laboratorin e ri të Universitetit të Tiranës, për ndërtimin e të cilit ka kontribuar edhe familja e saj.
Bujas-Juraga është pritur sot në një takim lamtumire nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili thotë: “Znj.Sanja Bujas-Juraga i dha gjatë mandatit të saj edhe më shumë peshë marrëdhënieve tona të shkëlqyera historike me Kroacinë. Për herë të parë kemi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, që do t’i japë një përmbajtje më të fuqishme raporteve tona në të ardhmen. Po kështu vëmendja ndaj arbanasve tanë të përbashkët u rrit si kurrë më parë. Shqipëria dhe Kroacia gjithmonë bashkë! Dje në NATO, nesër në BE dhe përgjithmonë në këtë rajon që falë dhe bukurive të dy vendeve tona është më i bukuri në botë dhe nga i cili të rinjtë nuk duhet të largohen.”