Këtë të premte u publikua në media një deklaratë që kreu i SPAK, Altin Dumani, bëri në lidhje me kërcënimin e familjes së një prokurori.
Deklarata u tha se u bë gjatë një takimi me dyer të mbyllura, në kuadër të një nisme dialogu mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Në një reagim për Euronews Albania, Dumani sqaron deklaratën e bërë, ku tha se nuk përmendi një kërcënim konkret që i është bërë ndonjë prokurori të SPAK.
Ai sqaron për Euronews Albania se deklarata e tij u bë në kontekstin se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, nuk ndihen të shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga politika, por për kërcënimet nga krimi i organizuar.
“Nuk kam thënë në takimin që jam thirrur ditën e sotme, që është kërcënuar familja e ndonjë prokurori. Më është bërë një pyetje, nëse ndihen të kërcënuar prokurorët nga politika apo krimi i organizuar dhe kam thënë që nuk jam i shqetësuar nga politika, por nga krimi i organizuar dhe prokurorët janë të përgatitur për çdo gjë”, tha Dumani.
Deklarata e Dumanit e publikuar më herët:
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”.