Familjarë dhe të afërm të Arjan Salës, shefit të sigurisë së Qendrës Tregtare i bllokuar në magazinën e shkrumbuar nga zjarri prej tre ditësh, apelojnë për ndihmë. Xhaxhai i tij tha për Ora News thotë se pas shuarjes së zjarrit në magazinë gjatë ditës së sotme, nevojitet një kërkim i specializuar për të nxjerrë çfarë mundet nga nipi i tij.
“Erdhën ushtarakë me skaner nuk dha rezultat, erdhi dhe qeni dhe nuk dha rezultat. Ka ardhur momenti i fundit, kërkim gram për gram çfarë është e Janit. Mund të vijnë dhe arkeologë të japin ndihmesën e vet pa prishur provat”.
Apeli i tij shkon direkt për institucionet.
“Mirëmbrëma e nderuar kryeministër i Shqipërisë, president, deputetë, ministra dhe drejtorë, ju lutem të gjithë krahëve politikë na vini në dispozicion pak minuta nga koha juaj. Nipi im, djali i vëllait është bllokuar në magazinë. Që në fillim operacionin për nxjerrjen e tij u nis gabim. Paradite sot zjarri është shuar. Temperatura në katin e nëndheshëm është ulur ndjeshëm. Ju bëj thirrje publike të gjithë shqiptarëve që kanë humbur fëmijët e tyre të na përkrahin, të vijnë të qëndrojnë me ne këtu. Rezultat mbi trupin, eshtrat e nipit tim nuk ka.
Tani dhe mbrapa duhen kërkime të specializuara, nuk duhen kërkime nga njerëz jo profesionistë. Nëse ka njerëz në mënyrë vullnetare që e kanë idenë si bëhen kërkime, të vijnë dhe të japin ndihmesën e tyre. Të gjejnë diçka nga trupi i Janit. Do të vazhdojmë derisa të kemi diçka nga trupi i Janit. Ai ra hero se nxori gjallë disa njerëz dhe sakrifikoi veten. Një heroi të heshtur nuk duhet ti fshihet emri. Kërkoj ndihmë publike nga të gjithë. Ju mirëpresim që nga dita e nesërme në mëngjes, ju lutem mos e neglizhoni thirrjen time”.
Xhaxhai i 33-vjeçarit insiston edhe të ndihma nga jashtë nëse shteti ynë nuk i ka mundësitë për kërkime të tilla.
“Nga policia nuk kemi vërejtje. Kanë ndarë dhimbjen time, kanë shprehur pak agresivitet por e kanë pasur për të mirën tonë se gjendja aty ka qenë katastrofë. Policia do të heqë uniformat dhe të vijë bashkë me ne për të nxjerrë kockat e djalit. Edhe zjarrfikësit i kanë shkrirë mundësitë e tyre por nuk kanë ato që duhet të kenë. U nis gabim kërkimi, të paktën të mos përfundojë gabim. Mos të shkojë i humbur që mos të kemi ku ta qajmë. Nëse shteti nuk i ka mundësitë, nuk është turp, të kërkojnë ndihmë nga shtetet fqinje që na ndihmuan edhe në tragjeditë e mëparshme. Të marrim diçka andej”.