Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e trajtimit të posaçëm financiar prej 100 mijë lekësh në muaj për gjithë jetën, për 8 familjarë të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Rama tha se “sot qeveria do të miratojë dy projektvendime për një trajtim të posaçëm financiar për fatkeqët më të mëdhenj nga tërmeti.
“Sot miratojmë dy projektvendime për një trajtim të posaçëm financiar për fatkeqët më të mëdhenj në këtë histori, të cilët kanë nevojë për një ndihmë të përhershme, pra për gjithë jetën, si rezultat i tragjedisë që iu ka shkatërruar familjen”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri tha se “vendimi do të përfshijë edhe ata që janë në moshë të thyer dhe që përveç pensionit të tyre duhet të ndihmohen me një trajtim plus sa 8-fishi i pensionit social dhe i barabartë me pensionin e posaçëm shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që në masën më të lartë shkon në 60 mijë lekë të reja”.
Kryeministri Rama bëri të ditur listën e personave që do të përfitojnë trajtimin e veçantë financiar prej 100 mijë lekësh në muaj për gjithë jetën: Luljeta Cara, Albert Cara, Aleks Çupi, Albert Lala, Denisa Greku, Marjana Rexhepi, Fehmi Vata, Pranvera Qato.
Po ashtu, Rama tha se trajtim të veçantë financiar plus pensionit 60 mijë lekë të reja në muaj do të ketë për ata që janë më të moshuarit në këto familje të shpartalluara nga tërmeti, të cilëve duhet t’i qëndrojmë pranë jo thjesht me ndihmën financiare, por edhe me ndihmën morale.
Kryeministri theksoi gjithashtu se mbrëmë ka filluar sistemimi i tyre në shtëpitë e reja, që për të gjitha familjet duhet të përfundojë maksimumi i maksimumit brenda 15 dhjetorit.
“Falënderoj zv/ministren Dajna Sorensen që po kujdeset personalisht për sistemimin e tyre të shpejt dhe dinjitoz”, tha Rama.