Kur “Zlatan II” vendosi përsëri të veshë fanellën kuqezi, që e mbante shtatë vite më parë, me siguri ka besuar te suksesi i plotë i këtij kthimi në Milano. Me 42 gola në 61 ndeshje, Ibra ka qenë dhe mbetet akoma shënuesi më i mirë i Milanit të kësaj dekade në Serie A. Asnjë nga yjet e kaluar, në këto vite, nuk e ka sfiduar këtë rekord të suedezit. Dhe lista është e gjatë, nga Torres deri te Higuain. Askush tjetër nuk ka mundur të shkëlqejë ashtu siç bëri ai ndërmjet viteve 2010 dhe 2012. Edhe për këtë arsye, drejtuesit kuqezinj ndryshuan qasjen e rinovimit me “gjak të ri” të skuadrës, që e kishin në fillim të sezonit, dhe ngulmuan për të sjellë në “San Siro” një 38-vjeçar, që ka qenë në SHBA për dy sezone dhe e luajti ndeshjen e tij të fundit dy muaj më parë.
Në këtë ndryshim kursi të strategjisë së Milanit, me siguri Ibrahimovic bën një përjashtim. Eksperienca e parë kuqezi, golat e shënuar me këtë fanellë, karriera brilante predominojnë moshën e tij për “pension”. Natyrisht, në këtë zgjedhje të Milanit ka ndikuar edhe diçka tjetër. Ardhja e tij vë në lëvizje të gjitha “industritë” e ndërlidhura. Numri i fanellës së suedezit nuk është bërë ende zyrtar (parashikimet i japin 21, përpara numrave të tjerë të lirë), por në dyqanet zyrtare të kuqezinjve, “t-shirt” me fjalën “Ibrahimoviç” janë gati të shiten “të nxehta”, menjëherë.
Efekti “Ibra” do të ndihet gjithashtu në stadium. Fushata e abobimeve të sezonit, për ndeshjet e fazës së dytë në shtëpi, e hapur në fillim të dhjetorit, tashmë ka dhënë rezultate të mira. Me suedezin në fushë, shkallët e stadiumit do të mbushen më shumë. Pra, të ardhurat nga biletat do të rriten ndjeshëm. Për të mos përmendur sponsorët dhe marrëveshjet e reja, që do të vijnë. Pra, Milan-Ibra është një biznes total, jo vetëm marrëdhënie kontraktuale sportive.