Klima është treguar e mirë me Shqipërinë gjatë dy dekadave të fundit. Studimi i përvitshëm i “Germanwatch” për indeksin e rrezikut, llogarit se në çfarë përmasash janë goditur shtetet e botës nga eventet ekstreme klimatike, duke i klasifikuar në bazë të cenueshmërisë nga stuhitë, përmbytjet, zjarret dhe valët e të nxehtit.
Indeksi e rendit Shqipërinë në vendin e 137, nga 181 shtete të përfshira gjithsej në raport, sa i përket viktimave nga viti 1999 deri në 2018. Ekonomia është një ndër fushat që goditen më shumë nga këto evente ekstreme të klimës.
“Germanwatch” na pozicionon në vendin e 87 për humbjet për frymë në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Shqipëria ka një trend përkeqësimi, pasi janë shtuar vdekjet nga fatkeqësitë natyrore. Për vitin 2018 Indeksi na rendit në vendin e 102.
Ndërkohë, raporti nënvizon se kushtet meteorologjike ekstreme, që lidhen me ndryshimet klimatike, nuk prekin vetëm shtetet më të varfër, si Mianmar apo Haiti, por edhe disa nga vendet më të pasura të globit.
Rezultatet reflektojnë pasojat serioze që vijnë nga valët e të nxehtit, stuhitë, përmbytjet dhe fenomenet e tjera natyrore. Shkencëtarët kanë zbuluar se ato përkeqësohen çdo vit dhe më tepër nga ndryshimet klimatike.
Për 2018, Japonia kryeson listën si vendi më i goditur nga ekstremet meteorologjike, dhe ndiqet nga Filipinet, Gjermania dhe Madagaskari. Autorët e raportit theksojnë se Kombet e Bashkuara nuk kanë një instrument për të rimbursuar dëmet që lidhen me klimën, ndërsa shtetet e pasura refuzojnë garantimin e mbështetjes financiare.