Extra Fatos Nano tregon historinë kur e përjashtuan nga gjimnazi

Fatos Nano tregon historinë kur e përjashtuan nga gjimnazi

Fatos Nano është rritur në një familje që kishte marrëdhënie të mira me udhëheqjen komuniste në atë kohë. Megjithatë, kur ishte adoleshent kishte filluar të shfaqet pakënaqësitë e para ndaj regjimit diktatorial.

I ftuar në emisionin Opinion, Nano ka treguar një histori kur ka qenë 16 vjeç. Ai u përjashtua nga gjimnazi dhe u detyrua të punonte në Uzinën Partizani. Por sipas tij, veprimi për të cilin u akuzua se kishte bërë nuk ishte i vërtetë.

Blendi Fevziu: Ne kemi pasur një intervistë 11 vjet më parë në të cilën ju keni folur për fëmijërinë, jetën, është publikuar dhe në librin që unë kam pasur disa nga personazhet që kanë ndikuar më shumë në historinë e këtij vendi gjatë gjithë viteve. Shqipëria është një vend i vogël, Tirana është një vend i vogël. Njerëzit takohen me njëri-tjetrin jo vetëm kur bëhen të famshëm, por që në fëmijëri, që në rini. Si ka qenë jeta e Tiranës në atë kohë. Pra, raporti me njerëzit që më pas do të ishin disa bashkëpunëtorë, disa kundërshtarë tuajt.

Fatos Nano: Ka qenë më i mbledhur në hapësirë, më intensiv në kohë dhe do zgjidhje se me kë do t’i zhvilloje më shumë marrëdhëniet. Kështu që natyrshëm krijoheshin grupet e një brezi, me shokët e një shkolle. Jo çdo rreth shoqëror përbëhet nga elita. Bile kam përshtypjen rrethet elitare janë të destinuara të mos jetojnë gjatë. Kështu që e gjitha kjo të krijonte mundësi të flisje dhe gjëra të ndaluara, si për shembull duke filluar nga filmat, nga librat, nga romanet e famshme që qarkullonin dorë më dorë dhe pastaj muzika e kohës.

Blendi Fevziu: Ju jetonit në një familje e cila kishte raporte të mira me regjimin komunist. Kur keni filluar ta ndjeni ju atë që quhet mungesa e lirisë?

Fatos Nano: Njeriu duke u rritur mund të ketë shumë raste për t’u bërë i pakënaqur. Për shembull, mua më kanë përjashtuar nga gjimnazi në vitin e dytë. Më kanë përjashtuar deri në fund të vitit të dytë të gjimnazit. Këtu fillon histori e bukur. Po bënim orën e fiskulturës. Profesor fiskulture ka qenë profesori i famshëm i atletikës Besim Qyqja dhe mbrapa Sami Frashërit ishte gropa e rërës, e kërcimit së gjati. Dhe po kërcenim vetëm djemtë. Gocat ishin në palestër. Merrnim vrull, kërcenim në gropë edhe bënim xhiro mbrapsht. Në një nga këto xhiro aty në cepin e murit, unë dhe një shoku im vemi bëjmë ujtë. Profesori pezullon orën, na merr siç ishim dhe na çon direkt në zyrën e nëndrejtoreshës. I thotë, këta hoqën të mbathurat, nxorrën ato që s’duhet nxjerrë dhe filluan ta tundin para gocave të shkollës. Njeriu atë gjë e bën fshehurazi apo jo. Unë kam pasur një lloj dinjiteti edhe në gjimnaz. Pra nuk i nënshtrohesha urdhrave pa kuptim. Ai tjetri mesa duket e hëngri prej meje. Ndërkohë, në atë periudhë ishin kapur duke përgjuar banjat e vajzave 4 çuna të tjerë nga klasa të tjera. Kishin shpuar vrima dhe u kapën, u përjashtuan. I bashkuan dy grupet armiqësore, pra dhe ne u shitëm në opinion sikur kishim bërë këtë gjë të pamoralshme dhe na çojnë deri në fund të mësimit në Uzinën Partizani. 16 vjeç në Uzinën Partizani. Mua më futën në repartin mekanik, kujdestar ishte Sekretari i Partisë i Repartit, i cili më priti me këmbët e para. Dhe fillova të mësoja si mësohen rondelet, si punon…

Blendi Fevziu: Punoje realisht? 8 orë në ditë?

Fatos Nano: Po, po. 8 orë në ditë. Na dhanë të drejtën që të ktheheshim të jepnim provimet për gjithë semestrin e dytë. Kishte një dajë ky shoku im që ishte mësues matematike dhe fizike, bëmë mësime jashtë klase me të dhe unë i mora të gjitha provimet 10-ta. Dhe kur u ktheva në Qershor, mësueset që natyrisht më vlerësonin se isha nxënës i mirë, u thoshin nxënësve të tjera ja duhet të shkoni të punoni në uzinë, shikoni si kanë ardhur këta. Tani të gjitha këto krijonin pakënaqësi.