Kryesore Faturat e hoteleve, Rama flet për Ahmetajn: Kush këput “dardha dhe mollë”...

Faturat e hoteleve, Rama flet për Ahmetajn: Kush këput “dardha dhe mollë” pas shpinës time, e kanë me drejtësinë

Në hetimin e SPAK për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit janë arrestuar ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.

Por së fundmi ka dalë edhe emri i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, për të cilin, sipas një padie të gazetarit Adriatik Doçi, i janë paguar faturat nga i akuzuari Klodian Zoto.

Kryeministri Edi Rama, i pyetur sot nga gazetarët për këtë çështje, nuk ka bërë komente specifike, por ka deklaruar se kushdo që devijon në këtë mision, e ka çështjen me drejtësinë.

Pyetje: Në media janë publikuar disa ditë më parë faturat e hotelit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ish-ministrit të Ekonomisë të paguara nga personi kyç i akuzuar për aferën e inceneratorëve që është Klodian Zoto. A keni një koment për faktin që ish-numri 2 i qeverisë tuaj në bazë të këtyre dokumenteve ka përfituar favore nga një person i akuzuar për skemën e inceneratorëve?

Edi Rama: Në media janë publikuar edhe të tjera gjëra që lidhen me adresime të individëve, të grupeve, të faktorëve të caktuar drejt SPAK, edhe për politikanë të cilët ju i keni pranë dhe për të cilët nuk më rezulton që të më keni pyetur ndonjëherë mua dhe as t’i keni thënë publikut se ka ndodhur dhe kjo dhe ne nuk kemi bërë komente, ne nuk bëjmë komente të tilla.

Pyetje: Ka qenë person shumë i rëndësishëm, ju as nuk e pranoni që ka një aferë inceneratorësh. Në këtë rast kur kemi një tjetër ish-ministër të përfshirë që ka marrë favore, ju vetë e dënoni që një ministër t’i paguajnë faturat e hotelit një person tjetër?

Edi Rama: Se është ky zakoni që duhet ngritur zëri, duhet penguar konferenca e shtypit, duhen përsëritur gjërat sepse duhet bërë propaganda këtu. Unë e dhashë përgjigjen, nuk akuzova askënd dhe nuk akuzoj askënd. Unë po them që, e para njëherë në media dalin shumë gjëra dhe respekti im për median në raport me të vërtetën është i mirënjohur. Media është e dyndur nga gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, por në rastin konkret bëhet fjalë edhe për diçka e cila lidhet me një proces dhe bëhet fjalë për një denoncim që një individ i caktuar ka bërë në SPAK. Dhe ne as për njerëz që janë në PS, as për njerëz që janë kundër PS, as për ish-President Republike, as për ish-kryeministra etj etj., nuk e kemi zakon të prononcohemi kur bëhet fjalë për këtë lidhje. Dhe unë të gjitha çfarë thuhen në media i marr me shumë rezervë.

Pyetje: A keni kontaktuar me z.Ahmetaj për këtë çështje për të ditur të vërtetën e tij?

Edi Rama: Procesi ka punën e vet dhe të vërtetat individuale të secilit janë të vërteta individuale. Unë di që edhe njëherë tjetër e përsëris që janë 3 vepra; në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë për të cilat 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do thosha që duhen bërë. Dhe të cilat sot janë në shërbim të komuniteteve. Ajo e Elbasanit është pronë e komunitetit tani më, një investim i bërë që është sot pronë e komunitetit, ajo e Fierit është e destinuar të jetë pronë e komunitetit, ajo e Tiranës ka shpëtuar njëherë e mirë Tiranën nga plehrat dhe nga gjithë thagma. Pastaj koncepti është shumë i thjeshtë. Nëse ne nisemi për një betejë të caktuar dhe rrugës dikush apo disa që janë nisur për të arritur atë qëllim këpusin edhe dardha dhe mollë për t’i futur në trasta mbas shpinës time, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, e kanë me drejtësinë. Ndërsa për rastin konkret, nuk kam asnjë koment për të bërë thjesht sepse nuk mundet dot të ngrihen akuza dhe të bëjmë spekulime dhe të fillojmë të bëhen komente mbi copa të dhënash që janë të gjitha për t’u hetuar, për t’u vërtetuar, për t’u gjykuar. Kur të hetohen, kur të vërtetohen janë të vërteta nuk janë të vërteta dhe kur nëse do ketë një vendim mbi këto atëherë unë siç kam folur gjithmonë do flas përsëri, por unë nuk mund të flas të bëj muhabet këtu sepse ka një muhabet për t’u bërë dhe sepse ka interes për të marrë nëpër gojë njerëzit.