Varianti Omicron mund të shkaktojë simptoma më të lehta se varianti ngjitës i Deltës.
Kështu deklaruan zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas imunologut të njohur Antony Fauci duhen më shumë informacione përpara se shkencëtarët të dalin në përfundime të sakta.
“Deri tani, nuk duket se ka një shkallë të lartë të rrezikshmërisë. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm para se të bëjmë përcaktime nëse është më pak i rrezikshëm krahasuar me Deltën”, tha Fauci për rrjetin televiziv “CNN”.
Administrata e Biden po shqyrton heqjen e kufizimeve të udhëtimeve pasi ato u imponuan nga frika që ngjalli varianti i ri i koronavirusit. Omicron besohet se është më ngjitës sesa variantet tjera, përfshirë atë Delta, por shkencëtarët ende po punojnë për të kuptuar se sa do të jetë në gjendje të shmangë mbrojtjen e siguruar nga vaksinat.
Varianti i ri i koronavirusit është identifikuar në dhjetëra shtete, por Delta është varianti kryesor që ka shkaktuar rritjen e rasteve në Europë dhe në Amerikën e Veriut.