Eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive doktor Anthony Fauci u shpreh i shqetësuar lidhur me rritjen së fundmi të rasteve të reja me koronavirus, veçanërisht në shtetet në jug të vendit.
Gjatë një takimi të organizuar në formën e një telekonference nga Dhoma amerikane e Tregtisë zoti Fauci tha se situata paraqitet e vështirë.
Ai tha se ka ardhur koha “që të shohim atë që po ndodh dhe nëse mund t’i intensifikojmë masat me qëllim frenimin e koronavirusit”.
Zoti Fauci paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të përballen me “100 mijë infeksione në ditë nëse nuk përqafojnë më agresivitet masat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe masa të tjera”.
Të enjten SHBA raportoi një numër rekord ditor të infektuarish nga COVID-19 më shumë se 70,000 raste të reja.
Zoti Fauci tha se vendosja e maskave është tejet e rëndësishme për rihapjen sërish të vendit dhe se “të gjithë” sikurse tha ai “duhet t’i vendosin ato”, raporton VOA.