“Vaksina e koronavirusit mund të jetë gati më shpejt sesa pritej.” Kështu është shprehur në një intervistë për Kaiser Health News, Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe anëtar i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë kundër pandemisë.
Specialisti i sëmundjeve infektive, i cili ka rënë në konflikt disa herë me Presidentin Donald Trump për menaxhimin e krizës, shpjegoi se nëse rezultatet e provave klinike në vazhdim janë “jashtëzakonisht të mira” do të ketë një “detyrim moral” për të ndaluar eksperimentimin dhe për të filluar shpërndarjen e vaksinës.
Lidhur me rrezikun që administrata amerikane mund të ushtrojë presion mbi komunitetin shkencor dhe organet federale që duhet t’i japin vaksinën në mënyrë që ta miratojnë atë përpara zgjedhjeve të nëntorit, Fauci tha “nuk ka asnjë shqetësim për këtë pjesë”.
“Nëse duhet të marrësh një vendim në lidhje me një vaksinë, duhet të sigurohesh që ke prova se është e sigurt dhe efektive. Unë nuk shqetësohem për presionin politik”, tha mjeku amerikan.