Nga Çapajev Gjokutaj
Njëzetë kamionë me ujë, bukë dhe ilaçe u lejuan më në fund të kalonin në Gazë. Ky lajm përsëritej dje thuajse në të gjitha prestigjiozet botërore. Po ç’janë njëzetë kamionë për dy milionë e ca palestinezë të kyçur në Gaza në një veprim që të sjell në mend rrethimet e kalave në mesjetë? Shpresa është se ndihmat do vazhdojnë dhe do plotësojnë sadokudo nevojat ekzistenciale të gazianëve.
Por krahas kësaj shprese të mekët ekziston dhe frika e madhe se hyrja e paralajmëruar e ushtrisë izraelite në Gaza do të jetë fillimi i një lufte urbane me viktima të shumta nga të dyja palët, po sidomos nga popullsia civile veçanërisht fëmijët, gratë e pleqtë palestinezë.
“Izraeli ka pësuar një sulm çnjerëzor dhe meriton simpatinë e botës, por nuk i duhet dhënë një çek i bardhë për të masakruar civilët ose për t’i privuar ata nga ushqimet, uji dhe ilaçet”, shkruante dje Nikola Kristof, kolumnist i NYT.
Shoh se në rrjetet tona sociale s’janë të paktë zërat që e justifikojnë gjakderdhjen e civilëve palestinezë në emër të zhbërjes së Hamasit. Disa e konsiderojnë këtë si një gjë të dhimbshme por të domosdoshme e rrjedhimisht edhe të pashmangshme. Të tjerë çapiten më thellë në viset e cinizmit dhe thonë se civilët palestinezë duhet të paguajnë për udhëheqjen e tyre, për simpatinë dhe mbështetjen që i kanë dhenë.
Me sa duket nuk e dinë se palestinezët e Gazës prej 16 vjetësh nuk kanë patur rast të votojnë. Mundet që një pjesë e tyre simpatizojnë vijën ekstremiste të Hamasit. Por s’prodhon veçse ekstremizma po të marrësh 2 milionë e ca njerëz dhe t’i mbyllësh ndrysur grisur në treqind e ca km2, në “një burg nën qiell të hapur”, siç e ka cilësuar Gazën ish presidenti Karter.
Ta zëmë se gjithë palestinezët e Gazës kanë simpati për ekstremizmat e Hamasit dhe urrejtje për izraelitët, po cili ligj dhe çfarë morali i botës demokratike të jep të drejtë ta vrasësh tjetrin për bindjet që ka?
Veç kësaj, gati gjysma e palestinezëve të Gazës janë fëmijë dhe zyrtarët vendas thonë se në bombardimet e deritanishme janë vrarë 1500 fëmijë dhe janë shkatërruar 1/3 e banesave civile. Kësaj i thonë të ndëshkosh në masë fëmijët se nuk zgjodhën të jenë bij prindërish të tjerë!
“Përgjigja më e mirë përballë kësaj situate të vështirë – shkruante Nikolla Kristof në artikullin që citova më lart – është të përpiqemi që edhe përballë provokimeve terroriste të kapemi pas vlerave tona. Kjo do të thotë se pavarësisht emocioneve të çastit, të gjitha jetët kanë vlerë të barabartë.” Dhe përfundonte se në përpjekje për të mbrojtur fëmijët izraelitë, nuk duhet të lejojmë të vriten fëmijët e Gazës.
(Nga cikli ‘Grunari i leximeve’)