Extra Fëmijët në karantinë, si ta bëjmë të këndshme kohën e mësimeve në...

Fëmijët në karantinë, si ta bëjmë të këndshme kohën e mësimeve në shtëpi

Izolimi brenda një hapësire të kufizuar në shtëpi është bërë tashmë realiteti sfidues i shumë familjeve shqiptare. Shtëpia është tashmë mjedisi, jo vetëm për të jetuar, por aty janë transferuar edhe shumë aktivitete që më parë ndodhnin në të tjera ambiente; brenda shtëpisë ne po zhvillojmë edhe punën edhe shkollën. Ndaj prindërit duhet të përshtasin këtë mjedis për të plotësuar në mënyrë sa me të shëndetshme nevojat e secilit prej nesh dhe ta kthejmë procesin e të mësuarit në një kohë të cilësore për të gjithë. Organizata World Vision ndan disa këshilla për prindërit në mënyrë që ta bëjnë sa më të thjeshtë, të larmishme dhe argëtuese këtë kohë.

Ja disa këshilla dhe sugjerime për ju:

  • Së pari, ruani qetësinë çdo ditë dhe jini të duruar me çdo situatë të krijuar nga stresi i karantinimit.
  • Mundohuni të ndërtoni një rutinë të shëndetshme ditore me orare zgjimi, higjiene personale, zhvillimin e mësimeve të shkollës, kohën e argëtimit dhe miqësinë me shokët/shoqet.
  • Fol me fëmijën për çdo gjë, përjetimet e tij, pyetje që mund të këtë, por dhe duke e përditësuar me situatën që po përmirësohet në mënyrë miqësore.
  • Vijoni të mbani kontakt të vazhdueshëm me mësuesit duke përshtatur kërkesat e shkollës ndaj fëmijëve dhe nevojave të situatës.
  • Shfaqni durim për të kryer bashkë detyrat dhe mundohuni të mos kini një kërkesë llogarie të tepruar, pa shtuar një stres tjetër mbi fëmijët.
  • Stimuloni dhe motivoni fëmijët tuaj për çdo detyrë, mësim e punë të kryer. Kjo do të nxisë tek ata dëshirën për angazhim.
  • Koha e mësimit dhe detyrave të jetë e shoqëruar me lojra dhe argëtime të ndryshme. Psh. Këndoni/kërceni me ta këngën e preferuar, luani lojen e preferuar, jepini ëmbëlsirën e preferuar etj. (P.sh prindi bëhet nxënësi dhe fëmija bëhet mësuesi, problemat trajtohen në formë loje, përdoren objekte konkrete shtëpiake për të shpjeguar koncepte te ndryshme si format dhe ngjyrat, etj.)
  • Përdoreni teknologjinë së bashku për tu shlodhur dhe argëtuar.
  • Inkurajojeni që pak nga pak situata ka filluar të përmirësohet.
  • Ju e njihni më mirë fëmijën tuaj, çfarë i pëlqen apo nuk i pëlqen, çfarë dhe kur ka dëshirë të bëjë diçka dhe kur nuk ka, por gjithashtu i njihni dhe vështirësitë e tij/saj dhe pasojat mbi ne të një izolimi të zgjatur, ndaj bëhuni aleati dhe ndihmësi i tij/saj kryesor në këtë situatë të pazakontë për të gjithë.