Aktualitet “Fëmijët nën kujdesin e Republikës”, Rama sqaron ndryshimet e fundit ligjore: Kush...

“Fëmijët nën kujdesin e Republikës”, Rama sqaron ndryshimet e fundit ligjore: Kush përfiton

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot në Kuvend, ndryshimet që do të bëhen pas miratimit të ligjit “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”.

Sipas Ramës, ku ligj u jep mundësi fëmijëve të atyre që kanë humbur jetën në krye të detyrës, apo duke mbrojtur pronën publike dhe duke shpëtuar jetën e të tjerëve, për të pasur një përkujdesje nga shteti.

“Jam shumë i lumtur që sot në seancën e fundit të parlamentit për këtë vit ne mund të përcjellim si fakt dhe jo me si qëllime të mira, disa ndryshime të rëndësishme të realizuar në këtë Kuvend dhe një tjetër ndryshim që do të realizojmë sot me votën e këtij Kuvendit. Duke nisur nga janari të gjitha nënat me tre e më shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës. Po ashtu do të fitojnë dyfishin e ndihmës dhe gratë e dhunuara, por dhe jetimët që janë në skemën ne ndihmën ekonomike. Sot u shtohet dhe një kategori tjetër nëpërmjet nismës ligjore, për “Fëmijët e Republikës”.

Faktikisht me votën e sotme Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët, apo me personat nën kujdestari, të dëshmorëve të atdheut, të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën, të personave që kanë humbur jetën duke mbrojtur pronën publike, si një akt vetëmohimi. Të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë një fatkeqësie natyrore. Shteti merr në mbrojtje të gjithë fëmijët e këtyre kategorive prindërish, për t’u lehtësuar një vijimësi jete në kushtet e humbjes së prindit. Statusi “Fëmijë në kujdesin e Republikës” fitohet deri në moshën 18 vjeç, por deri në 25 vjeç nëse ndjek dhe arsimin e lartë”, u shpreh Rama.