Aktualitet Fëmijët vranë babain, si u zbulua krimi në familjen Meta. Momenti kur...

Fëmijët vranë babain, si u zbulua krimi në familjen Meta. Momenti kur u “thye” Hygerta

Ngjarja e së premtes në Shënavlash të Durrësit tronditi mbarë opinionin publik. Pëllumb Meta, 50 vjeç, u vra nga fëmijët e tij me armë zjarri. Për këtë arsye janë arrestuar Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, ndërsa bashkëshortja e tij, Blerina Meta, është proceduar në gjendje të lirë. Gazetarja Glidona Daci ka siguruar materialin e plotë të Policisë së Durrësit, referuar prokurorisë.

Policia thotë se në momentin që Hysen Meta ka lënë makinën në fshatin Sektor Rinia, në kamerat e sigurisë është shfaqur disa minuta më vonë edhe një makinë tip “Audi” me ngjyrë të zezë. Këto fakte janë zbuluar pasi vetë Hysen Meta kishte denoncuar zhdukjen e të atit në polici.

“Konstatohet nga një kamer që ndodhet në zonën e fshatit Sektor rinia se pasi kalojnë të dy mjetet e sipërcituara, mjeti Citroen nuk konstatohet në kthim, por pas rreth 6 minutash vërehet mjeti Audi në orën 04:34 që kthehet dhe lëviz në drejtimin Sektor Rinia- Shënvalash”, thuhet në materialin e policisë.

Duke pasur dyshimet e arsyeshme, policia ka zbuluar se familjarët në fakt kishin kryer veprime për zhdukjen e viktimës dhe më pas pretendonin se ishte larguar nga banesa.

Për këtë arsye e gjithë pjesë familja pra nëna, dy vëllezërit dhe motra janë marrë në Polici dhe janë ballafaquar përballë provave. Siç është bërë e ditur, fillimisht ka qenë Hygerta ajo që ka pranuar fajësinë. E reja në këtë moment ka deklaruar se babanë e kishte vrarë ajo dhe e kishte groposur tek kasollja afër banesës.

Më pas mjetin e kishte dërguar ajo në Sektor Rinia dhe armën e kishte hedhur në një zonë kënetore afër bregut të detit. Këto pretendime janë konfirmuar fillimisht edhe nga familjarët e tjerë, të cilët kanë deklaruar që dijeninë për vrasjen e Pëllumb Metës e kanë marrë vetëm pasditen e 22 Shkurtit. Duke marrë parasysh këto të dhëna, Hygerta Meta është dërguar në vendin ku u deklarua se ndodhej kufoma.

“Pikërisht në zonën ku tregonte deklaruesja Hygerta Meta, që ndodhej në oborrin e banesës në një distancë rreth 20 metra nga cepi i banesës ana jugore, ndodhej kasollja e bagëtive, ku filloi gërmimi dhe pasi u arrit në një thellësi 110 centimetra, u vërejt që në këtë gropë të hapur gjendej kufoma e një shtetasi i mbështjellë fillimisht me një plastmas të zi, e më pas me çarçafë. Kufoma u nxorr dhe u konstatua fakti që ajo ishte kufome njeriu, i identifikuar si Pëllumb Meta, kufomë e cila kishte filluar dhe dekompozimin. Kufoma për shkak të gjendjes që ndodhej nuk u hap, por u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal Durrës. Veprimi hetimor i sipërcituar u shoqërua me procesverbalin e këqyrjes ku nga këqyrja e ambienteve të kasolles nuk u gjetën prova të tjera materiale apo biologjike që të lidhen me ngjarjen e ndodhur”, thuhet në dosje.

Nga verifikimi i kufomës, policia thotë se janë vërejtur 3 plagë tejshpuese me armë zjarri, ku një prej tyre ka qenë në pjesën e kokës poshtë veshit dhe dy në pjesën e gjoksit e të barkut.

Sërish Hygerta Meta ka vijuar të qëndrojë në versionin e saj se krimin e kishte realizuar ajo me armën pa leje të të atit dhe motiv ishin problemet që ai u krijonte herë pas here dhe fakti se kohët e fundit donte ta fejonte me një person të panjohur për të.

“Ajo nuk pranonte fejesën pasi ishte në shkolle dhe donte të përfundonte shkollën, por babai e kishte vene nën presion dhe donte t’i dilte fjala e tij”, mësohet të ketë thënë 19-vjeçarja sipas policisë.

Ky deklarim është mbështetur edhe nga Hysen, Amarildo e Blerina Meta. E kështu, autoritetet kanë këqyrur banesën si dhe ambientet përqark oborrit për të konfirmuar deklarimet e tyre. Ata kanë gjetur, në sirtarin e një divani, një predhë arme zjarri model 54, kalibër 7.62 milimetra, një shul e shtrat shuli arme zjarri model 56, kaliber 7.62 mm, 200 copë fishekë. Po ashtu, autoritetet kanë marrë në cilësinë e provës sende dhe rroba.

Këtu është momenti kur Hygerta Meta “thyhet” dhe vendos që të ndryshojë dëshminë e saj. Referuar predhës së gjetur tek divani ajo u shpreh se nuk ishin të vërteta të gjitha deklaratat që kishte dhënë më parë e që vrasjen e kishte realizuar së bashku me vëllain e madh, Hysenin.

Pasi Hyseni ka kryer krimin, Hygerta është marrë me sistemin e kufomës. Policia thotë se Blerina dhe Amarildo Meta në atë moment nuk kanë qenë në shtëpi. Kur ata kanë shkuar në banesë janë mësuar me faktin e vrasjes së Pëllumb Metës. Dy vëllezërit më tej kanë hapur gropën në kasollen e bagëtive ndërsa më vonë kanë lënë makinën. Ndërsa Blerina Meta është marrë me pastrimin e divanit ku u vra Pëllumbi. Sa i përket Hygertës, ata kanë rënë dakord që ajo të mbante fajësinë e ngjarjes nëse zbulohej e vërteta.

“Kishin kohë që kishin problem me babanë dhe nga shqetësimi që ju krijonte duke i fyer dhe bullizuar menduan ta vrisnin atë. Ditën e shtune datë 10.02.2024, rreth orës 15.00, kur babai ka ardhur në banesë ka filluar të konfliktohet me të vëllanë. Më pas babai është shtrirë duke pushuar në një divan të kuzhinës, e Hyseni ka marrë armen pistoletë TT të cilën në banesë e ka pasë sjellë i ati, dhe me të në dorë ka hyre në kuzhinën ku pushonte babai dhe e ka qëlluar katër herë. Gjatë kryerjes se këtyre veprimeve nuk kanë qenë të pranishme vëllai i vogël Amarildo dhe as mamaja Blerina. Më pas vëllai ka dalë nga banesa duke e lënë kufomën aty, e ajo ka vijuar më pas me sistemimin e kufomës duke e lidhur atë me lidhëse në këmbë e në duar, duke e fashuar e vendosur dhe në një çarçaf te zi. Ka gjetur katër gëzhojat dhe i ka lënë sipër tavolinës në cep. E ka mbështjellë kufomën me plastmas të zi dhe e ka lënë në divan, ku gjate mbështjelljes ka harruar në trupin e viktimës dhe një palë gërshërë. Faktin e vrasjes e ka mësuar dhe e ëma dhe i vëllai i vogël pasi kanë ardhur në banesë, ku e ëma ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë. Në mbrëmje dy vëllezërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, si dhe më pas dhe më armën dhe gëzhojat. Po ashtu dy vëllezërit kanë larguar dhe makinën nga banesa. Të nesërmen ajo ka parë që tek kasollja ishte lëvizur dheu dhe ka mësuar se aty ishte varrosur kufoma. Vendit përsipër i ka hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që të mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia. Pas dy ditësh i vëllai ka bërë denoncim në polici për humbjen e babait. Kanë biseduar me njeri tjetrin që nëse do të zbuloheshin nga policia ajo do të merrte përsipër fajësinë e autorësinë e ngjarjes. E ëma pas kësaj ka pastruar dhomën si dhe divanin mbi të cilin ishte shtrirë Pëllumbi kur u qëllua dhe e kanë ngjitur në katin e dytë”, thuhet në dosje.

Vrasjen e pranon më vonë edhe Hysen Meta, i cili thotë se me të atin kishte konflikte pasi e fyente gjithmonë për shkak se edhe për momentin ishte pa punë, por gjithashtu fyente edhe të ëmën dhe motrën. Pasi është kryer vrasja, Hyseni e ka fshehur pistoletën në zonën e vaskave të Kënetës përballë banesës së tyre. Aty autoritetet e kanë gjetur ku e kanë marrë dhe pritet të bëhet ekspertimi biologjik, daktiloskopik dhe tekniko-balistik.

Ndërkohë Amarildo Meta, djali i vogël, pranon fshehjen e kufomës së të atit dhe largimin e makinës së tij. Duke qenë se flitej se shkak i kësaj ngjarje është bërë fejesa e padëshiruar e Hygertës, policia ka marrë deklarimet e familjes që pretendohej se donin të lidhnin krushqi me familjen Meta. Por ata kanë shprehur se Pëllumb Meta nuk ka pranuar pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar. Në polici janë marrë edhe fqinjët e familjes Meta, por ata nuk kanë dhënë asnjë të dhënë me interes për hetimin.

Duke marrë përsipër të gjithë hetimin, policia thotë se Hysen Meta ka kryer veprat penale, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës“; Hygerta Meta, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer ne bashkëpunim, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës” parashikuar nga nenet 79/c e 25, e 303 te Kodit Penal; Amarildo Meta, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës” parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal si dhe Blerina Meta e dyshuar për kryerjen e veprës penale te “Veprime që pengon zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 1 Kodit Penal.

Të hënën të akuzuarit pritet të dalin për t’u njohur me masën e sigurisë para Gjykatës së Durrësit./ Tv Klan