Nga Çapajev Gjokutaj
Një vajzë trevjeçare guget e këndon diku në një dhomë mbushur cit me krevate tip marinar. Mesa duket pasi është lodhur e mërzitur në turmën e fëmijëve të kopshtit, ka ikur tinëz dhe e shtrirë në një nga krevatet i këndon vetes për ta vënë në gjumë.
Hyn edukatorja e qorton, e shan, e quan sharabajgë dhe pastaj dëgjohet një ‘krak’ që pasohet nga të qara me ngulç. Trevjeçarja ka thyer këmbën te pjesa e femurit si pasojë e tërheqjes gjithë forcë e egërsi nga edukatorja e pashpirt, më e pashpirt se gardianet e Gestapos që kemi parë në filma.
Fëmija mbahet 3-4 orë në këtë gjendje pastaj njoftohen prindërit dhe me paturpësi u thuhet se diçka e ka pickuar ndaj këmba e vajzës është ënjtur. Drama vazhdon me kalim nga një spital tek tjetri, policë që fshehin të vërtetën, mjek ligjor që për të konstatuar krimin kërkon t’i sjellin vogëlushen e sakatosur në zyrë dhe kështu me radhë e kështu më tutje, zvargur zvargur, deri sa pas dy tri ditësh ngjarja bëhet subjekt i një emisioni televiziv.
Çudia nis pikërisht këtu: kur ngjarja ikën nga realja e përditshmërisë dhe shndërrohet në imazh virtual televiziv. Sa hap e mbyll sytë zbulohet se kopshti, ndërtesë trekatëshe në mes të Tiranës, qenkej i palicencuar ndaj mbyllet tak fak.
Kundër edukatores sadiste, që paskish edhe episode të tjera dhune, nis menjëherë ndjekja penale. Dy policë dhe mjeku ligjor, që më së paku u treguan të mefshtë e indiferentë, pezullohen nga detyra.
Shoqata të mbrojtjes së fëmijëve tubohen e protestojnë para kopshtit, opinionistë e aktivistë nxitojnë ekraneve për të analizuar ngjarjen rrënqethëse. Ekranet televizive shfaqin e rishfaqin edukatoren që rreh vogëlushen me vizore si dhe imazhin e femurit të thyer, si për të dëshmuar se diçka është thyer keqazi në ashtin e shoqërisë tonë.
Përvoja të mëparshme të shtyjnë të mendosh se pas tri katër ditësh zhurmë, do e harrojmë ngjarjen rrënqethse, do ikimn nga virtualja e do kthehemi tek realja e mbushur me informalitet, neglizhime e indiferencë. Do vazhdojmë letargjinë mes parregullsish e skandalesh të përditshme, derisa hera ta sjellë që ndonjë tjetër thagmë skandaloze të kapërcejë kufijtë e reales, të hyjë në rrafshin e virtuales mediatike e të vërë në lëvizje mekanizmat e shtetit dhe të shoqërisë.
Shyqyr dhe kaq, do thoshte indiferenti dhe do vazhdonte avazin e vjetër: Haja e qenit, pija e qenit, vetëm mos iu nda karadyzenit.
Po taksat nuk i paguajmë virtualisht e me fushata, kurse fëmijët, të moshuarit dhe gjithë qytetarët kanë nevojë për shërbime e standarde, për shtet e ligj, çdo ditë e çdo çast, këtu dhe tani. Për të mos shtuar se aksioneve ua kemi pirë lëngun me vakt e me kohë.
(Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )