Mesut Ozil pritet të kalojë te Fenerbahçe, falë një ideje origjinale të klubit të njohur turk, që ka kërkuar ndihmën e tifozëve për të konkretizuar këtë operacion në merkato. Gjermani i Arsenalit është lakuar shpesh për një kalim të mundshëm në Turqi, vendin e tij të origjinës, ku së pari e ka kërkuar Bashakshehiri, ekipi i presidentit Erdogan. Tashmë duket më afër se kurrë.
Gazeta e njohur portugeze, “Abola”, duke iu referuar “Fotosport”-it, shkruan se Fenerbahçe u ka kërkuar tifozëve të japin një dorë për të blerë kartonin e Mesut Ozilit. Kemal Danabas, një pjesëtar i këshillit administrative të klubit, është njeriu që ka hedhur idenë për dërgimin e një mesazhi me koston e 3 eurove nga ana e tifozëve të Fenerbahçes. Me anë të këtij mesazhi fansat e klubit turk mund të kontribuojnë për afrimin e mesfushorit të kalibrit botëror.
Pritet që minimalisht të reagojnë 1 milionë tifozë, duke dërguar mesazhin e kërkuar, që do të thotë se do të grumbullohen rreth të paktën 3 milionë euro. Por parashikimi është që mund të dërgohen deri në 5 milionë mesazhe dhe me 15 milionë euro vetëm nga tifozët, blerja e Ozil nuk është më një hipotezë. Të shohim se sa do të realizohet kjo ide dhe nëse del me sukses, me siguri do të jetë një mënyrë e re për të bërë merkato.