Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ishte pjesë e një aktiviteti festiv në Athinë, të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë, ku morën pjesë shumë shqiptarë nga e gjithë Greqia për të kremtuar Festën e Pavarësisë.
Në një prononcim pas eventit, ministri Balla theksoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve për të promovuar kulturën, artin dhe historinë kombëtare, duke e vënë në qendër të vëmendjes mbështetjen që qeveria shqiptare po ofron për diasporën.
Në fjalën e tij, Balla nënvizoi: “Këto janë momentet kur shqiptarët mblidhen jo vetëm për të festuar ditën tonë kombëtare, por edhe për të promovuar artin, kulturën, letërsinë dhe historinë tonë. Dua të theksoj se qeveria do të vazhdojë t’i kushtojë një vëmendje të veçantë diasporës. Për shqiptarët që jetojnë në Greqi, kemi dhënë një zgjidhje për një nga problemet kryesore – mësuesit e gjuhës shqipe. Falë programit “Mësues për Greqinë”, ne do të kemi një numër të konsiderueshëm mësuesish të financuar nga qeveria shqiptare, për të garantuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë që lindin këtu.”
Balla gjithashtu njoftoi edhe vizitën e tij në Kretë, duke theksuar rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta me shqiptarët që jetojnë në këtë ishull: “Është e vërtetë që në ishullin e Kretës, në qytetet dhe fshatrat e këtij ishulli, jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët tanimë janë edhe sipërmarrës të suksesshëm dhe shkëlqejnë me profesionet e tyre në shumë fusha. Kështu që, është një nder për mua të kem mundësinë që festat e nëntorit, siç e kemi zakon ne shqiptarët, t’i festojmë me shqiptarët e Kretës.”