Pas 11 ditësh luftime të përgjakshme dhe trysnisë së shtuar ndërkombëtare, Izraeli dhe Hamasi u dakordësuan për ndaljen e dhunës. Armëpushimi reciprok dhe pa kushte, siç e cilësoi Izraeli, hyri në fuqi në orët e para të së premtes, duke i dhënë fund bombardimeve që lanë më shumë se 240 të vdekur, shumica e të cilëve palestineze.. në rrugët e Gazës shpërtheu festa.
“Ky është një çlirim. Ne kemi fituar kundër hebrenjve, e thyem krenarinë e tyre. Shpresoj që Zoti ta mbrojë rezistencën”, tha një banor i Gazës. Shtetasit izraelitë janë më të përmbajtur dhe skeptikë lidhur me armëpushimin.
“Mendoj se armëpushimi është diçka e mirë për arsye humanitare, për t’i lënë qytetarët në të dyja kampet të çlodhen. Por jam skeptik se sa do të zgjasë. Nuk mendoj se Izraeli arriti shumë”, u shpreh një izraelit.
Ashtu si tre luftërat e mëparshme midis dy armiqve të vjetër, raundi i fundit i luftimeve përfundoi pa ndonjë zgjidhje të konfliktit, edhe pse të dyja palët pretendojnë fitoren. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, tha se ofensiva në Gaza kishte sjellë fitore të paprecedenta ushtarake në terren. Ndërsa Hamasi paralajmëroi se i ka ende duart te këmbëza armës.
Rindërtimi i Gazës, Biden: Pa bashkëpunim me Hamasin
Presidenti i SHBA Joe Biden mirëpriti armëpushimin e lidhur midis izraelitëve dhe palestinezëve me ndërmjetësimin e Egjiptit. Ai vlerësoi rolin e presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për ndërmjetësimin e armëpushimit.
Biden premtoi se Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, do të shpërndanin ndihma humanitare për njerëzit e Gazës dhe do të merrnin pjesë në rindërtimin e zonës.
Presidenti amerikan vuri në dukje se ndihma e rindërtimit do të kryhet në bashkëpunim me Autoritetin Palestinez dhe jo me Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e përcaktojnë si një organizatë terroriste.
Autoriteti Palestinez sundon vetëm pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar, ndërsa Hamas kontrollon pjesën më të madhe të territorit në Rripin e Gazës.
“Ne do ta bëjmë këtë në bashkëpunim të plotë me Autoritetin Palestinez, por jo me Hamasin, në një mënyrë që nuk do të lejojë që Hamasi thjesht të plotësojë rezervat e tij të armëve”, tha Biden, i cili thotë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë vetë kundër sulmeve me raketa të Hamasit dhe mënyra se si ai zhvilloi negociatat e armëpushimit u sulmua nga anëtarët e Partisë Demokratike.
“Palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në paqe”
Biden iu përgjigj kritikave duke thënë se palestinezët meritojnë të jetojnë në paqe dhe siguri, ashtu si izraelitët.
“Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë. Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi”, deklaroi Biden.