Një natë që vështirë mund të harrohet për futbollin kosovar. Misioni ishte i pamundur, dhe në fund Anglia fitoi, por djemtë e teknikut Challandes dolën me kokën lart, edhe pse u thye tashmë rekordi i tyre me 15 ndeshje pa humbje.
Ndeshja në stadiumin St. Mary i Southampton fillon si një ëndërr për kosovarët. Një gabim trashanik i mbrojtësit Maguire, i paguar 80 milionë sterlina nga Manchester United këtë verë, i dha mundësi Valon Berishës të shënonte një gol në minutën e parë të ndeshjes.
Kosovarët do të kishin dashur që ndeshja të përfundonte aty, por nuk ishin i të njëjtit mendim anglezët, që reaguan me të gjithë forcën dhe teknikën që disponojnë. Dhe frytet nuk munguan. Ishte Raheem Sterling në minutën e 8-të që barazon dhe fillon “stuhinë angleze, që do të shënojnë katër herë të tjera në pjesën e parë. Një gol i bukur i yllit Harry Kane (19’) kalon në avantazh britanikët, që më pas trefishojnë falë një autogoli vërtet të pafat të mbrojtësit Vojvoda.
Mbrojtja e Kosovës nuk mban dot sulmet e njëpasnjëshme, dhe është Jadon Sancho i Borussia Dortmund që shënon dygolshin në minutat e fundit të pjesës së parë (44 dhe 45’) .
Duket fillimi i një rezultati dëshpërues për kosovarët, por në pjesën e dytë ata treguan karakterin e tyre.
Valon Berisha shënon një gol shumë të bukur në minutën e 48-të, dhe 5 minuta më vonë një penallti e marrë dhe e realizuar nga Muriqi fillon e tremb anglezët për një befasi që mund të ishte historike.
Anglezët gabuan një penallti me Harry Kane në minutën e 65-të, që shmang rezultatin “tenistik”, dhe i jep gjithsesi një dozë optimizmi “Dardanëve”, që ende mund të shpresojnë për kualifikimin.