Festivali i madh “Sunny Hill” që do të mbahet nga 4-7 gusht nuk do të organizohet këtë vit në Prishtinë, por në Tiranë.
Ky festival është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore Dua Lipa. Arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Edhe kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se festivali “Sunny Hill” do të organizohet në Tiranë, ku “ylli” kryesor i festivalit do të jetë këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
“Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre S’ka si Tirona jonë”, shkruan Rama.
Organizuesi i këtij aktiviteti, babai i Duas, Dukagjin Lipa tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Në letrën që ai ua ka dërguar krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë institucionalë, të cilën e ka publikuar në Facebook, thuhet se edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare për dhënien e një hapësirë në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë, sipas tij, ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.