Sport Festoi me simbolin e “Ujqërve Gri”, heroi i Turqisë mund të pezullohet...

Festoi me simbolin e “Ujqërve Gri”, heroi i Turqisë mund të pezullohet nga UEFA

Një ditë tjetër në Europian nuk mund të kalonte pa mesazhe politike. Tashmë në qendër të skandalit është kombëtarja turke dhe mbrojtësi që u bë hero mbrëmjen e djeshme, Merih Demiral. Autori i dy golave që ndihmuan Turqinë të mposhtte Austrinë dhe të kualifikohej më tej në çerekfinale festoi me të ashtuquajturën “Përshëndetje ujku” dhe bëri me duar simbole që i përkasin grupit ultra-nacionalist “Ujqërit Gri”.

Kjo lëvizje ka një ideologji ekstremiste të krahut të djathtë dhe monitorohet nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani, ndërsa disa vende e kanë cilësuar si organizatë terroriste.

“Ujqërit Gri” besojnë në epërsinë e racës turke dhe përpiqen për bashkimin e të gjithë popujve turq në një shtet, të shtrirë nga Ballkani përmes Azisë Qendrore deri në Kinë, në një perandori ku sipas tyre nuk ka vend për disidentët.

Megjithatë, vetë Demiral nuk sheh ndonjë problem tek mënyra që zgjodhi për të festuar golat.

“Mënyra se si kam festuar ka të bëjë me identitetin tim turk, prandaj e bëra këtë gjest. Pashë njerëz në stadium me të njëjtin gjest. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, tha ai pas ndeshjes.

Madje mbrojtësi i Al Ahli paralajmëroi se do ta përsërisë këtë mënyrë festimi nëse shënon kundër Holandës në çerekfinale.

“Të gjithë jemi turq, jam shumë krenar që jam turk. Ky është thelbi i të gjithave. Thjesht doja të tregoja sa i lumtur jam, shpresoj të ketë më shumë mundësi për ta shfaqur sërish këtë gjest.”

Megjithatë, opinioni sportiv në Turqi i druhet një pezullimi nga UEFA për mbrojtësin, për shkak se rregullorja ndalon përçimin e mesazheve politike dhe këtu i referohen rastit të Mirlind Dakut, i cili u pezulluar me dy ndeshje pas thirrjeve me megafon kundër serbëve dhe maqedonasve në fund të sfidës Kroaci-Shqipëri.

Qeveria evropiane e futbollit sakaq ka nisur një hetim për “sjellje të papërshtatshme” nga mbrojtësi turk.